Lajme

Ministrja Hajdari thotë se po shantazhohet nga mediat


Rozeta Hajdari

“Unë po marrë shumë shantazhe nga mediat”, ka thënë Rozeta Hajdari, ministre e Kosovës për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregëti, derisa ka raportuar para komisionit parlamentare lidhur me gjendjen e administratës brenda ministrisë së saj.

Debati është bërë veçanërisht në lidhje me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”, ku ajo mori akuza nga deputetët e opozitës për parregullsi.

“Ju lutem që të jemi sa më të sinqertë, sepse unë po marr shumë shantazhe nga mediat”, deklaroi Hajdari.

Ajo shtoi se sidomos për rastin në fjalë i janë dërguar “shumë fjalë e shumë shpifje ndaj zyrtarëve të ministrisë”.

Ministrja u gjykua, sidomos nga kryetari i komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, për një rezervim në një hotel në Prishtinë.

“Nuk janë nënshkruar marrëveshjet në hotelin e lartcekur, por ka qenë një tjetër”, sqaroi ministrja.

“Ne kemi trashëguar një ministri ku nuk kemi një vend që i zë 130 persona”, shtoi ajo, prandaj i është dashur që të rezervojë një sallë hoteli.

Ministrja Hajdari ne raportim para deputeteve te Komisionit Parlamentar

Hajdarit problem me media i ka dalur edhe para pak ditësh kur ishin mediat që zbuluan se ajo ka shkaktuar një aksident, duke goditur një fëmijë me makinën e saj.

Pasi u publikua rasti nga mediat, ministrja doli me një sqarim, vetëm për të thënë se nuk ishte faji i saj, por i fëmijës që iu përplas në makinë.

Nga dita kur ka ndodhur rasti, nuk janë dhënë më detaje nga policia se si është proceduar me këtë situatë.

Çka dihet është se, edhe sipas raportit të policisë, ishte ministrja që goditi të miturën.

Akuza e saj për mediat, se po e shantazhojnë, është një nga akuzat e radhës që kabineti qeveritar ka bërë në vazhdimësi për mediat.

E fundit ishte ajo e së hënës e kryeministrit, Albin Kurti, i cili u tha gazetarëve se nuk po dinë si t’i lexojnë mediat e Beogradit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore