Lajme

Ministrja e Arsimit: Mos na merrni energji, ndaloni grevat


Hekuran Murati

Ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci, e ftuar nga Komisioni Parlamentar për Arsimin që të ballafaqohet me anëtarët e Këshillit Grevist, ka thënë që të fillohet mësimi e mos të shpenzohet energji më në këtë punë.

“Mos na merrni energji, ndaloni grevën, le të shkojnë fëmijët në shkollë”, deklaroi Nagavci në komision.

“Ju lus mendoni për fëmijët, mos t’ua mohojmë të drejtën elementare që të shkojnë në shkolla”, shtoi ajo, por ofertë të re për grevistët nga qeveria tha se nuk ka.


Hekuran Murati në takim me grevistët: Dua t’iu pyes pak, me cilat parti jeni të afërt?

Hekuran Murati, ministër i Financave, në takimin me grevistët organizuar nga komisioni parlamentar, ka marrë fjalën për të shpjeguar implikimet buxhetore në realizimin e kërkesë prej 100 euro shtesë në paga, por ai paraprakisht ka thënë se dëshiron t’i njohë më mirë grevistët, prandaj ka kërkuar “që t’i pyes pak”.

“Kisha dashur t’iu njoh më mirë, me cilat parti jeni të afërt, sepse për ju zotëri kam dëgjuar se jeni i afërt pe një parti…”, ka deklaruar Murati, por më pas është ndërprerë nga udhëheqësit e takimit.

Përkundër lutjes që të mos merret me çështje politike, por të shpjegojë aspektet teknike të çështjes, Murati ka vazhduar me të tijën.

Hekuran Murati

“Pse po shqetësohen deputetët e opozitës kur po i pyes nga janë”, tha Murati.

“Ka anëtarë që janë të afërt me parti politike, ka anëtarë që kanë edhe probleme me ligjin në të kaluarën dhe kjo e sjell një kontekst krejt tjetër, prandaj është e rëndësishme, sepse kjo s’ka të bëjë me arsimtarët”, deklaroi Murati.

Murati ka insistuar se sjellja e grevistëve është e pakuptueshme, prandaj e dyshimtë.

“Këtu kemi të bëjmë me çështje irracionale, prandaj i shtrova ato pyetje, sepse duhet ta kemi parasysh kontekstin nga ku po vjen ky irracionalitet. Ndryshimi kërkesave për gjatë rrugës dhe mos pranimi i asgjëje dhe mos prezantimi i ofertës së qeverisë para anëtarësisë e qet këtë situatë në tjetër rrafsh”.

Murati është kritikuar nga deputetët e opozitës se gjuha e tij është polarizuese dhe nuk ofron zgjidhje, por krijon përçarje.

“Ju kisha lut që sot të mos lëvizmi nga këtu, ta gjejmë një zgjidhje sot, që fëmijët të fillojnë të hënën në shkollë”, tha Vlora Dumoshi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore