Lajme

Ministria Haxhiu të hënën jep dëshmi për rastin Dehari


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të hënën në ora 10:00 do të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, pasi ky organ i akuzës e kishte ftuar për të dëshmuar lidhur me rastin e Astrit Deharit, i cili ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të 2016-ës.

“Për shkak të interesimit të madh të medieve, ju njoftojmë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do t’i përgjigjet ftesës për të dhënë dëshminë në raport me rastin Dehari”, thuhet në një njoftim për media të MD-së.

Sipas njoftimit, pas intervistës në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu do të mbajë konferencë për medie.

Ftesa e Haxhiut për t’u intervistuar për këtë rast, ka të bëjë me një deklaratë të saj në Facebook, të bërë me datë 5 nëntor, me rastin e 7 vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit.

“Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast…. Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar”, kishte shkruar Haxhiu në Facebook.

Astrit Dehari

Ndryshe, më 8 dhjetor të vitit të kaluar, Haxhiu, kishte dalur në një konferencë për medie, për të treguar se mostrat e gjakut në rastin e Astrit Deharit, ishin zhdukur nga laboratori ku po ruheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit”, pati deklaruar Haxhiu.

Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan. Ata u suspenduan nga IML më tetë dhjetor 2022, por u rikthyen në punë më 19 shkurt 2023, pas një vendimi të Komisionit Disiplinor brenda Institutit.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore