Lajme

Ministria e Tregtisë për bllokimin e ngarkesave të Kosovës nga Serbia: Do të ankohemi në CEFTA


Ilustrim

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka njoftuar se ngarkesat me mallra nga Kosova nuk po lejohen të kalojnë as transit nëpër Serbi.

Gjatë ditës së martë të kësaj jave, një prodhues kosovar që eksportonte në Gjermani, ishte ndaluar në Serbi, duke mos e lejuar të kalonte nëpër këtë shtet.

”Sapo më njoftoj një prodhues që eksporton në Gjermani se kamioni që kalon transit përmes Serbisë i është bllokuar nga autoritetet serbe”, kishte treguar Panxha.

Këto probleme janë të vjetra për bizneset kosovare.

Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kanë treguar se prodhuesit kosovarë hasin në probleme të tilla që pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Që nga viti 2008, çështja e transitit përmes Serbisë është bërë një pengesë mjaft e shpeshtë për kompanitë kosovare. Bizneset Kosovare përballen me barriera të natyrave të ndryshme jo-tarifore kur eksportojnë në tregjet e CEFTA-s”, thuhet në përgjigjen e MINT.

“Barriera të tilla aplikohen rregullisht nga autoritetet serbe si ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj atyre industriale të eksportuara nga Kosova në Serbi ose të cilat kalojnë transit përmes territorit të Serbisë si importe nga shtetet e BE-se ose eksporte kosovare ne BE nëpërmjet Serbisë”.

Nga kjo ministri kanë përmendur edhe rastin e fundit  të paraqitur me datën 05.10.2021 në transit ndaj një eksportuesi të Kosovës për në tregun e BE-së është adresuar në CEFTA.

Kosova vazhdon t’i raportojë për çdo problem të shkaktuar nga pala serbe me mallrat në sekretariatin e CEFTA-së.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë vazhdon t’i raportojë në Sekretariatin e CEFTA-së rastet e barrierave tregtare të aplikuara nga vendet e CEFTA-së ndaj kompanive Kosovare”, thuhet në përgjigjen e MINT.

“Gjithashtu të gjitha rastet e paraqitura në vazhdimësi Departamenti i Tregtisë i ka adresuar dhe diskutuar gjatë takimeve të CEFTA-së përkatësisht në nënkomitetin për Barrierat jo Tarifore dhe Barrierat Teknike dhe të njëjta raste i ka raportuar në bazën e të dhënave në kuadër të CEFTA- së”.

Por, çdo rast i paraqitur nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Sekretariatin e CEFTA-së, nuk është zgjidhur “pothuajse asnjë rast nuk ka marrë zgjidhje permanente dhe mjaft shpesh ka lindur nevoja e përfshirjes së nivelit politik”.

Kosova duhet të përdorë edhe mekanizma rajonal për të zgjidhur problemin me barrierat dhe përmes ligjit për masat mbrojtëse në importe.

“Do të përdoren mekanizmat rajonal dhe dialogu ndërmjet palëve (ndonëse kërkohet edhe ndërhyrja e nivelit politik) me qëllim që të zgjidhen barrierat tregtare jo-tarifore dhe të rregullohet pozicionimi më i mirë i Kosovës në këtë mekanizëm”, kanë thënë në MINT. .

“Po ashtu përmes Ligjit për masat antidamping dhe ligjit për masat mbrojtëse ne importe do të mbroj prodhimet vendore nga ato Serbe”.

Ndërsa, Panxha kishte dhënë arsyet pse ishte ndaluar ky kamion .

“Arsyeja e bllokimit është se në dokument shkruan RKS dhe përmes marrëveshjes së re autoritet serbe nuk e pranojnë asnjë dokument ku shkruan RKS edhe pse është i destinuar për vendet tjera. Do të thotë bllokadat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen kompanitë kosovare nuk kanë të ndalur”, kishte shkruar Panxha në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore