Kosova

Ministria e Kulturës akuzon Serbinë për moskthim të artefakteve: Po shkelet konventa e UNESCO-s


Ministria e Kulturës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në Twitter, ka akuzuar Serbinë për mos kthimin e artefakteve të trashëgimisë kulturore.

“1 mijë e 247 ekspozita të koleksionit të trashëgimisë kulturore mbahen ilegalisht nga Serbia për më shumë se dy dekada”, ka njoftuar Ministria në Twitter.

Tutje, është thënë se në mesin e artefakteve është edhe një “enë qeramike e shekullit III-IV”, e zbuluar në Nekropolin Verior të Ulpianës.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Serbia duke mos i kthyer artefaktet në vendin e origjinës, po shkel edhe Konventën e UNESCO-s, përmes të cilave rregullohen këto çështje.

Artefaktet e Kosovës janë marrë nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë, kinse për ekspozim të përkohshëm, por ende nuk janë kthyer në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Nga ky thesar i artefakteve të marrë nga Serbia, deri me tani Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre, “Hyjnesha në Fron”.

Ministria e Kulturës në vazhdimësi po bënë fushatë që artefaktet të kthehen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore