Lajme

Ministri Vitia, kandidat për kryetar të Prishtinës


Ministri aktual i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Arben Vitia

Kandidati për asamblist në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, Petrit Reçica, ka zbuluar se Ministri aktual i Shëndetësisë në Republikën e Kosovës, Arben Vitia, do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Reçica, ka thënë se “do t’i bashkohet ekipit të Arben Vitisë në garën e tij për të parin e Prishtinës”, i cili sipas tij është i përzgjedhuri i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kryeqytetit kosovar.

Petrit Reçica dhe Arben Vitia.

“Po i bashkohem super ekipit te Arben Vitisë për kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjithashtu, Reçica ka shkruar edhe rreth garës së tij për një karrige brenda asambles komunale të Prishtinës, duke e arsyetuar atë me “përvojën e tij” në sferën e gastronomisë dhe evenimenteve kulturore.

“Në zgjedhjet lokale të këtij viti po i bashkohem listës së VV-së për asamble komunale. Pasi që bagazhi im ka të bëjë me gastronomi dhe evente kulturore po mendoj që jam përfaqësues i denjë i këtyre sektorëve. Pra: Për gastronominë dhe kulturën, pasi që gastronomia është kulturë”, shtoi ai tutje.

Madje, kandidati për asambilist në Kuvendin komunal të Prishtinës është zotuar se në ditët në vijim në llogaritë e tij të mediave sociale nuk do të publikoj postime që kanë të bëjë me fushata politike.

“Ditëve në vazhdim do të jem më afër problemeve të kategorive që do t’i përfaqësoj, me shpresë që deri n ‘fillimin zyrtar të fushatës s’kam me postu gjana fushatore, deri atëherë mirë mbetshi”, shkroi Reçica.

Lëvizja Vetëvendosje, akoma nuk ka zyrtarizuar kandidatët për kryetar të komunave.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore