Lajme

Ministri i Bujqësisë për zbatimin e ligjit të duhanit: Nga 683 inspektime kemi hasur në 149 raste të shkeljes


Ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se që nga nisja e zbatimit për ligjin e duhanit kanë bërë rreth 683 inspektime nga të cilat 149 kanë rezultuar të jenë raste të shkeljes së ligjit.

Peci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se vetëm në këtë mënyrë do të dëshmohet përkushtimi për mbikëqyrje të zbatimit të ligjit.

“Nga data 16 deri me sot kemi realizuar 683 inspektime nga të cilat kemi hasur në 149 raste të shkeljes se ligjit, për të cilat raste kanë pasuar gjobat”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka sqaruar se janë duke kryer vetëm obligimet të cilat janë në kompetenca të tyre.

“Ne vetëm po bëjmë detyrën tonë për të cilën jemi mandatuar. Ajo që po me bën të ndjehem krenar, është kultura e masave qytetare  të cilët po e shprehin në respektim të vullnetshëm të ligjit”.

“Ata të cilët në çfarëdo forme tentojnë ti shkelin rregullat, sigurisht që do të përballen me masën ndëshkimore qe e ka përcaktuar ligji”.

Ministri ka shtuar se, “duhanpirës dhe joduhanpirës po i shijojnë shërbimet e kafiterive tona pa tym duhani”.

Bazuar në statistikat ndërkombëtare dhe ato të cilat prezantohen nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milion njerëz në botë.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flet se mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.

Ndërsa, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, vetëm për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.

Ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi në vitin 2013. Qëllimi i këtij Ligji është të mbështesë përpjekjet e shoqërisë për të zbutur dhe reaguar ndaj një problemi të madh të shëndetësisë publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore