Lajme

“Miliona euro humbje” – hallka e problemeve që solli kërkesa e pushtetit për falje të 100 eurove për tatim


Foto: Albanian Post.

Rreth 28 milionë euro me pak, mungesë të projekteve në investimeve kapitale, mungesë të subvencione dhe përfundimisht buxhet të pamjaftueshëm.

Janë të gjitha këto problemet me të cilat do të ballafaqohen komunat e Kosovës, pas kërkesës së ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve e cila ka kërkuar që qytetarëve t’u falën nga 100 euro tatim, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka vendosur në favor të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një bisedë për Albanian Post thotë se kanë analizuar statistikat e secilës komunë në rast se një vendim i tillë do të merret dhe kjo do të përbëjë humbje në vlerën prej 28 milionë eurove.

“Nëse komunat marrin vendim për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, atëherë investimet kapitale do të bien rreth 28 milionë euro. I kemi statistikat e secilës komunë që nëse bëhet një veprim i tillë deri në 100 euro, dëmi financiar do të jetë rreth 28 milionë euro”, sqaron Ibrahimi për AP.

Për një vendim të tillë, sipas tij është dashur të paralajmërohet më herët.

Kjo pasi që komunat kanë miratuar buxhetet e tyre për vitin 2024.

“Komunat i kanë miratuar buxhetet e tyre komunale në shtator të këtij viti për vitin 2024. Këto mjete financiare që tash supozohet që duhet të falen për tatimin në pronë, janë paraparë për investime në vitin e ardhshëm. Komunat i kanë marrë vendimet si dhe i kanë miratuar buxhetet komunale”.

Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ai tutje thotë se me më shumë vështirësi do të përballen komunat e vogla dhe ato të mesme.

“Do të thotë, komunat e vogla dhe të mesme do të ballafaqohen me sfida të jashtëzakonshme. S’do të ketë projekte për investime kapitale, s’do të ketë subvencione sepse s’ka buxhet. Këto shkaktojnë pasoja, hallkë – njëra pas tjetrës”.

Përveç këtij vendimi, Ibrahimi përmend edhe një vendim tjetër që është marrë nga ekzekutivi për t’i dëmtuar komunat.

“Në anën tjetër, është vendimi juridik i Gjykatës Supreme që është marrë në tetor ku komunat tash padrejtësisht do të ndëshkohen për zbatimin e kontratës kolektive të arsimit për pagesat e mësimdhënësve për licencim dhe normën e inflacionit. Aty kjo shumë do ta kalojë 20 milionë euro”.

“Të gjitha këto mjete që do t’u merren komunave, për zbatimin e kontratës kolektive shumica absolute e atyre mjeteve vijnë nga investimet kapitale. Do të thotë, tash janë 28 milionë euro në njërën anë dhe mbi 20 milionë euro në anën tjetër, janë rreth 50 milionë euro më pak për investime kapitale”.

Ai ka kritika edhe për qasjen e pushtetit me komunat, duke deklaruar se “komunikimi mes nivelit lokal dhe qendror”, vazhdon të jetë i pakët dhe i anashkaluar nga pushteti.

“Komunikatën nuk ka qenë e nevojshme që ta lëshojnë sepse komunat janë të vetëdijshme dhe dinë t’i lexojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk është bërë diçka e madhe që e kanë shkruar atë komunikatë, sepse kjo është ditur nga vendimi i Kushtetueses, komunat dinë që t’i numërojnë ditët”.

“Raporti i Qeverisë me Komunat më shumë politik sesa ekonomiko-social”

Ndërsa, profesori universitar Nagip Skenderi, e konsideron faljen e tatimit në pronë si të drejtë të pushtetit komunal, duke thënë se komunat duhet të bëjnë planifikimin e të hyrave nga tatimet e bizneseve.

Skenderi, në një përgjigje për Albanian Post pohon se është e qartë që investimet kapitale në këtë rast nga komunat s’do të realizohen.

“Investimet kapitale do të mbetën të parealizuara, apo në gjysmë. Kjo pasi që këto të hyra do të mungojnë dhe si pasojë e kësaj, mjetet financiare që paraprakisht ishin të destinuara, e tash nuk implementohen në projektet kapitale nga ana e komunave, mbetën ‘suficit’, që më pas Qeveria ua merr sërish dhe kështu institucionet komunale mbeten në borxh ndaj votuesve të tyre për mosrealizim të objektivave dhe premtimeve parazgjedhore”.

“Kjo i shkon në favor Qeverisë së Kosovës”, thotë ai për Albanian Post.

Foto: Albanian Post.

Sipas tij, veprimet e pushtetit ndaj komunave kohët e fundit po marrin më shumë konotacion politik sesa atë ekonomiko-social.

“Aktualisht, jemi të vetëdijshëm që Qeveria asgjë nuk ka ndërmarrë për të mbrojtur standardin social të qytetarëve nga pasojat e krizës ekonomike e financiare, si rezultat i ekonomisë inflacioniste që është duke zotëruar tash e një kohë, sidomos në tre vitet e fundit”.

Pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Qeverisë së Kosovës, sa i përket ankesës së bërë nga komunat për faljen e tatimit në pronë, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, i ka njoftuar komunat se kanë afat deri më 8 dhjetor për të vendosur lidhur me faljen e tatimit në pronë deri në vlerën prej 100 eurove.

“Rritja e tatimit në vitin 2023 për shkak të qeverive të kaluara”

Në Kosovë, përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ministri Murati, fajtor për rritjen e tatimit i kishte lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, nga Qeveria Kurti është thënë se po hartohet një ligj i ri.

Se kur do ta zëvendësojë këtë tjetrin, akoma s’dihet gjë.

Dyfishimi i tatimit të pronave – Ekonomistët thonë se qeveritarët po sillen si “profiterë të krizës së çmimeve”

Qytetarët qindra ankesa, Qeveria asnjë përgjigje – A do ta ndryshojë kush ligjin që çoi në qiell çmimin e tatimit në pronë?

As pushteti qendror, as lokal nuk gjetën zgjidhje për uljen e tatimit në pronë – “rëndohet xhepi i qytetarëve”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore