Lajme

As pushteti qendror, as lokal nuk gjetën zgjidhje për uljen e tatimit në pronë – “rëndohet xhepi i qytetarëve”


Foto: Albanian Post.

Tatimin në pronë e rriten, si lehtësim e parashikuan faljen e 100 eurove nga komunat për secilin qytetarë, por së fundmi edhe neni i cili e lejon këtë lehtësim për qytetarët nga Gjykata Kushtetuese u pezullua.

Si herën e parë, ashtu edhe të dytën kritikues ndaj njëra tjetrës u shprehen Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Pavarësisht takimeve që u mbajtën, diskutimeve në Kuvendin e Kosovës, sërish nuk u gjetë zgjidhje.

Sërish vendimi mbeti që qytetarët të paguajnë tatimin në pronë me rritje.

Qytetarët, pjesën e parë të tatimit e kishin paguar në muajin prill, kurse të dytën do ta paguajnë në shtator që të dyja me rritje.

“Pak rëndësi ka fajtori – rëndohet xhepi i qytetarëve”

Për njohësin e çështjeve ekonomike, Imer Raçi, në raste të tilla pak rëndësi ka kush është fajtori, por të rëndësishëm vazhdojnë të jenë qytetarët.

Raçi, thotë se në një situatë të tillë më e mira do të ishte nëse vendimi do të anulohej, sepse kështu vetëm rëndohet “xhepi i qytetarëve”.

“Rritja e pagesës si tek tatimi në pronë edhe tek pagesat e faturave të tjera komunale e ka rënduar shumë xhepin e qytetarit sepse vitet e fundit kanë pasur edhe inflacion të lartë e që ende nuk janë normalizuar çmimet”.

Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ai potencon se përmes kësaj do të rriten edhe obligimet e papaguara të qytetarëve.

“Ani pse tatimi në pronë është takse vjetore, rritja e çmimit mund të ndikoj edhe ne vështirësitë e vjeljes së kësaj te hyre nga shteti pasi që të ardhurat e qytetareve janë renduar deri në atë mase sa që rritja e çmimit të taksës do t’ua rris qytetarëve obligimet e papaguara”, thotë Raçi për AP.

Ndërsa, paralajmëron rrezik se mund të ketë edhe rritje të borxheve.

“Gjeja më e mirë është anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të tatimit sepse qytetaret nuk kanë kapacitet financiar për pagesa të larta, e kjo vetëm se e godet shportën e tyre e që mund të dërgoj deri tek rritja e borxheve”.

“Qytetarët e dinë se kush është fajtor”

Por, sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, vendimi i fundit i Kushtetueses ia ka shpëtuar secilës komunë nga 30 mijë euro.

Ibrahimi, fajin e vendos tek ministria e Financave, prandaj thotë se nuk kanë çfarë të bëjnë që t’ua lehtësojnë barrën e pagesës qytetarëve.

“Fatkeqësisht, faturat e tatimit në pronë i ka ngritur niveli qendror përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe qytetarët e dinë se kush i ka ngritur faturat, kush ka ndërmarrë vendime arbitrare, kush ka hartuar ligje pa konsulta me komunat dhe për çdo gjë që ka të bëjë me faturat përgjegjësi të drejtpërdrejt ka Ministria”.

Kryetari i AKK-së, ka kërkesë ndaj ministrit të Financave që në vend të shkrimeve në rrjetet sociale të bashkëpunoj më shumë me komunat për të mirën e qytetarëve.

“Në pyetjen se përse faturat janë ngritur dhe përse qytetarët potencialisht do t’i paguajnë faturat e ngritura barra i bie Ministrisë së Financave dhe apeli i Asociacionit është që në vend se ministri Murati, të merret me statuse në ‘Facebook’ dhe me ofendime ndaj komunave është mirë që ai të ndërtoj ura komunikimi me kryetarët e komunave”, deklaron Ibrahimi për AP.

Sipas tij, nuk është zgjidhje që problemet të zgjidhen mes institucioneve lokale dhe qendrore përmes Gjykatës Kushtetuese.

“Ne si Asociacion nuk jemi pro që problemet ndërinstitucional në këtë rast të nivelit lokal dhe qendror të dërgohen në institucione gjyqësore, në këtë rast në Gjykatën Kushtetuese në vend se te kemi një bashkëpunim të sinqertë që të ulemi dhe t’i diskutojmë problemet”.

Qytetarët qindra ankesa, Qeveria asnjë përgjigje – A do ta ndryshojë kush ligjin që çoi në qiell çmimin e tatimit në pronë?

“Rritja e tatimit në vitin 2023 për shkak të qeverive të kaluara”

Në Kosovë, përgjegjëse për rritjen e faturimit në prona janë dy institucione: Komunat dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëhiqet nga Hekuran Murati.

Ministri Murati, fajtor për rritjen e tatimit i kishte lënë Qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet, të cilat e kishin miratuar ligjin për tatimin në pronë në vitin 2018.

“Pra, ky ligj fillimisht ishte miratuar me datën 4 maj të vitit 2018 kur ministër i Financave ka qenë Avdullah Hoti. Mirëpo, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvendin e Republikës dhe të hyjë në fuqi, sepse Qeveria ishte rrëzuar dikund një javë më vonë, pra me datën 10 maj”.

Për të njëjtin ligj, ministri ka thënë se ishte dërguar sërish në Kuvend në kohën e qeverisjes së Haradinaj.

“Më pastaj i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë dhe me 26 janar është publikuar në gazetën zyrtare dhe ka hyrë në fuqi ndërsa në Kuvend ishte miratuar gjatë muajit nëntor ose dhjetor”.

“E më pas ky ligj i ka caktuar disa afate dhe kushtet të cilat i obligojnë institucionet e vendit që të respektohen. Ky ligj i miratuar në vitin 2018, ka paraparë që sipas ‘nenit 7’, të këtij ligji në vitin e pestë të zbatimit të ligjit të hyj në fuqi tatimi 100 për qind i tokave”.

Rritje në tatim tek disa prona është dyfishuar për shkak se ka filluar të llogaritet edhe tatimi i tokave.

“Më përpara s’ka qenë tatimi i tokave, prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë filluar të tatimohen edhe tokat që nga viti 2018 e këndej. Dhe viti i pestë pra viti 2023, është viti ku ligji aplikohet nuk është marrë asnjë vendim sepse ky ligj e ka përcaktuar qysh në vitin 2018 që tokat duhet të tatimohen”.

Për të ndryshuar çmimet e tatimeve, nga Qeveria Kurti është thënë se po hartohet një ligj i ri, se kur do ta zëvendësojë këtë tjetrin, akoma s’dihet gjë.

Dyfishimi i tatimit të pronave – Ekonomistët thonë se qeveritarët po sillen si “profiterë të krizës së çmimeve”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore