Lajme

Milatoviç: Mali i Zi do të ndjekë politikën e BE-së ndaj Rusisë dhe do të forcojë lidhjet me Serbinë


Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, është shprehur se shteti malazez nën drejtimin e tij do t’i ndjekë “fuqimisht, 100 përqind” politikat e Bashkimit Evropian në raport me Rusinë, pas agresionit të saj në Ukrainë.

“Një politikë e plotë e BE-së është ajo që duhet të udhëheqë Mali i Zi në të ardhmen, dhe është veçanërisht e rëndësishme tani kur bëhet fjalë për agresionin rus kundër Ukrainës… Nuk ka njeri në Evropë dhe padyshim në Mal të Zi që mund të mbështesë pushtimin e një vendi tjetër sovran”, tha Milatoviç, transmeton media malazeze Vijesti.

Ndërkaq, ai theksoi se Mali i Zi nën udhëheqjen e tij “do të avokojë për lidhje më të forta me Serbinë dhe shtetet e tjera fqinje në Ballkan,” dhe tha se do të përshpejtoi procesin e anëtarësimit në BE.

“Një nga prioritetet kyçe të politikës së jashtme për Malin e Zi, për mua si president i ri i vendit, do të jetë përshpejtimi i anëtarësimit të vendit në BE, në mënyrë që, me shpresë, Mali i Zi të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së në të ardhmen”, tha Milatoviç.

Milatoviç vlerëson se e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe se ai beson që shteti i tij do të jetë i pari që do të anëtarësohet në Unionin Evropian.

“Besoj se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE dhe mendoj se Mali i Zi me siguri mund të jetë i pari që do të hyjë”, tha ai.

Ndërsa, ai potencoi se arsyet kryesore për humbjen e kundërkandidatit të tij, presidentit të deritanishëm, Milo Gjukanoviç, ishin sipas tij akuzat për korrupsion dhe “sundimi i tij afatgjatë”.

“Prandaj na pëlqen të themi se kemi mundur një nga diktatorët e fundit në Evropë… Prandaj besoj vërtet se fitorja në këtë shtet të vogël ballkanik është gjithashtu një fitore e madhe evropiane, një fitore e vlerave evropiane”, potencoi Milatoviç.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim (CEMI), bazuar në 90 për qind të votave të numëruara Milatoviç ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Millo Gjukanoviç, ka marrë rreth 39.8 për qind.

Sipas të dhënave të CEMI, 71 për qind e votuesve votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.

Millatoviç, ka hyrë në politikë që më pak se tre vjet.

Ai ka thënë se dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.

Ekspertët e skenës politike malazeze kishin paralajmëruar se Milatoviç është evropian me veshje ruse. Edhe pse student i Oksfordit dhe intelektual me orientim liberal, ai ishte ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur nga Kisha Ortodokse Serbe.

Nga Serbia, Milatoviç mori mbështetjen e liderit të Partisë Radikale Serbe, të dënuar për krime lufte, Vojislav Sheshel, dhe po ashtu në mbështetje të tij doli edhe presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.

“Mendoj se është keq për popullin serb nëse fiton Milo Gjukanoviç”, tha Dodik.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ia ka uruar fitoren Jakov Milatoviç-it.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore