Përballje

Milano gjunjëzohet nga Lazio, Napoli fiton në Torino


Llogaritë për zonën Champions në kampionatin italian të futbollit janë kompikuar totalisht dhe pesë xhirot e fundit të sezonit pritet të jenë spektakolare me pesë skuadra që kërkojnë tre vende në këtë zonë.

Klubi i Milanos të cilët për 20 javët e para ishin kryesues të tabelës në Serie A, tani janë zhytur aq thellë në rezultate negative, sa që po rrezikojnë seriozisht pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Humbja e fundit ndaj Lazios me rezultat 3:0, e zbriti ekipin e Stefano Piolit në vendin e pestë në tabelë me 66 pikë, aq sa ka edhe Juventus dhe Napoli.

Në duelin direkt për zonën Champions, Lazio shënoi dy gola me anë të sulmuesit të tyre Joakim Correa dhe më pas për të vulosur fitoren, mendoi kapiteni lacian Ciro Immobile, i cili shënoi tre minuta nga fundi, për rezultatin përfundimtar 3:0.

Ndërsa në ndeshjen tjetër Napoli shënoi fitore në udhëtim te Torino, për të hyrë seriozisht në garë për pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Napolitanët triumfuan me rezultat 0:2 ndaj torinezëve, me dy golat e shënuar qysh në fillim të takimit.

Bakayoko në minutën e 11-të dhe Osimhen në të 13-tën, shënuan për skuadrën e Gattusos, më pas portat mbetën të paprekura deri në vërshëllimën e fundit nga gjyqtari.

Me këtë sukses, Napoli ngjitet në vendin e tretë me 66 pikë, po aq sa kane Juventusi dhe Milano, ndërsa Torino mbetet në vendin e 16-të me 31 pikë dhe po rrezikon seriozisht mbijetesën në elitën e futbollit italian.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore