Shqipëria

Michel flet për një mbledhje historike, që do afrojë Ballkanin me Evropën


Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, e ka përcaktuar Samitin e Tiranës mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si një mbledhje, e cila ka shkruar historinë dhe prej së cilës, në të njëjtën tryezë, vendet e BE-së dhe ato ballkanike, kanë marrë angazhime konkrete.

E gjithë kjo, për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë të fëmijëve në kontinentin e vjetër.

Kështu ka folur shefi i KiE-së, gjatë konferencës për shtyp pas Samitit, duke përshkruar edhe temat e bisedimeve mes liderëve.

Detyrat për t’u realizuar, janë disa sipas tij.

Fillimisht, një angazhim konkret për uljen e tarifave roaming, me një projeksion të zerimit të tyre deri në vitin 2027, është nënshkruar.

Kjo do të bëjë të mundur një lehtësi shumë të madhe për turizmin e ndërsjellët dhe do të hapë rrugë të reja mes vendeve.

Agresioni rus në Ukrainë, kurrsesi nuk mund të qëndronte jashtë diskutimeve, me gjithë sfidat që paraqiten për Evropën dhe rajonin.

Mbi këtë dhe impaktin e madh ekonomik, Michel ka siguruar sërish se do të ketë mobilizim të BE-së karshi Ballkanit, për të luftuar të gjitha pasojat e sjella nga ky sulm.

“Migrimi është një temë shumë e vështirë për t’u trajtuar”, vijoi më tej ai, por pa kursyer disa reflektime.

Ato lidhen kryesisht me një plan prej pesë pikash, të cilin Këshilli i Evropës e ka propozuar.

Ndër këto pika, linjëzimi i vizave, është ai që mbart rëndësinë më të madhe.

Sipas presidentit të KiE-së, pavarësisht përballjes me vështirësi, progres i mirë është bërë për politikat e vizave. Mandej, vendime të tjera mbi çështjen, të cilat do të vendosen në tryeza të ardhme, do të merren.

Kështu e sjell ai optimizmin e tij pas Samiti.

Në fund të takimeve, duke falënderuar mikpritësin, kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por edhe gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, me shumë besim për gjeneratën e sotme evropiane, për t’u përballur me vështirësitë ekonomike dhe digjitale, Michel e mbylli fjalën e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore