Shqipëria

Meta pas vendimit të Kushtetueses: Proces politik për ta përdorur si mjet shantazhi


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dhënë qëndrimin e tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mos shkarkimin e tij.

Në një intervistë për RTSH-në, ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë emocion për këtë çështje dhe se nuk e ka shkelur kushtetutën.

“Nuk kam pasur asnjë lloj emocioni për çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kam pritur të zgjidhej më herët. Kjo zgjatje nuk më ka shqetësuar sepse fundin e kam ditur për sa kohë nuk kam bërë shkelje as të rëndë dhe as të lehtë”, ka treguar Meta.

Sipas tij, ky ka qenë një proces politik për ta përdorur si mjet shantazhi.

“Nuk është rastësi që është bërë në këto momente, ka qenë një tentative për të kapur të vetmin institucion të pavarur, por dhe për të hequr vëmendjen nga aferat korruptive të qeverise”, ka vijuar ai.

“Maskaradë politike” e ka quajtur ai këtë hetim të tretë kundër tij.

“Kërkesa për shkarkim nga Parlamenti ka qenë shantazh ndaj Presidentit, për qëndresën që ai ka bërë për mos kapje të shtetit. Kjo kërkesë ka qenë e paligjshme dhe në formë hakmarrje e mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës”, ka theksuar Meta.

Gjithashtu ka shtuar se “e gjithë kjo maskaradë politike u bë për të tërhequr vëmendjen nga afera korruptive e inceneratorëve. Kjo është një lojë e mbaruar”.

“Presidenti nuk ka shkelur asnjë ligj dhe as një nen të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, ka përsëritur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore