Shqipëria

Meta: Fryrja e administratës në funksion të zgjedhjeve


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një statusi në median sociale, Facebook, ka akuzuar qeverinë për fryrje të administratës. Kjo fryrje, sipas tij, ka ardhur me qëllim angazhimin e administratës dhe burimeve shtetërore në funksion të zgjedhjeve.

“Përdorimi i shtetit për qëllime elektorale është një tjetër dëshmi serioze dhe skandaloze e degradimit dhe e kompromentimit të reformës në administratën publike nga ana e Kryeministrit ende në detyrë”.

Meta shkruan se në tremujorin e fundit të vitit 2020 numri i të punësuarve në administratën shtetërore u shtua me rreth 10 mijë, në raport me tremujorin e mëparshëm.

Ai sqaron se gjithë këto vende pune të hapura, të mënyrë jo të ligjshme, përkthehen në vota për qeverinë aktuale.

“Të dhënat nga terreni flasin hapur për krijimin e pozicioneve të reja fiktive të punës në kundërshtim me ligjin, vetëm për qëllime elektorale, në këmbim të votave më 25 prill”.

Presidenti shprehet optimist se në zgjedhjet e 25 prillit, të gjithë qytetarët shqiptarë do të marrin pjesë masivisht “për të ndëshkuar njëherë e përgjithmonë degradimin e administratës, shpërdorimin e taksave dhe buxhetit, si dhe për të realizuar çkapjen e shtetit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore