Shqipëria

Meta: Buxheti 2022 është antisocial, rritet fondi total i PPP-ve


“’Buxheti 2022’ është antisocial. Rritet fondi total i PPP-ve nga 636.8 miliard lekë, në 830.9 miliard lekë”.

Ky ka qenë reagimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mëngjesin e 14 dhjetorit duke dhënë arsyet se pse e ka kthyer në Kuvend “Buxhetin 2022”.

“Zero rritje reale për 930 mijë e 457 qytetarë, që jetojnë me të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë”, shkruan Meta në median sociale Facebook.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti që thotë ""Buxheti 2022" ESHTE ANTISOCIAL RRITET fondi ota i PPP nga 636.8 miliard lekë, nẽ 830.9 miliard lekë. ZERO rritje reale per 930,457 qytetarë, që jetojne me tẽ ardhura nën 5.5 USD. 2019 PRESIDENT ILIR META"

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në seancën plenare të 25 nëntorit, ka deklaruar se kryefjala e Buxhetit 2022 është paketa sociale për familjet në nevojë.

Sipas tij, ndihma ekonomike do të dyfishohet për 15 mijë familje.

Po ashtu, elementët socialë dhe infrastrukturorë janë pika kyçe në “Buxhetin 2022”.

Buxheti 2022

Qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë dhe të ardhurat priten të shkojnë në 536 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar që deficiti të arrijë në 101 miliardë lekë.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2022 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu aty theksohet, se fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësorë dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i fondit rezervë për vitin 2022, planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE-në si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore