Lajme

Mësuesit dhe punonjësit francezë të transportit në grevë për rritjen e pagave


Në të gjithë Francën janë mbajtur demonstrata pasi shkollat dhe shërbimet e transportit u ndërprenë nga greva e parë e madhe që kur Emmanuel Macron fitoi rizgjedhjen si president.

Mësuesit e shkollave fillore ndaluan punën, ashtu si shoferët e trenave dhe autobusëve dhe punonjës të industrisë së energjisë bërthamore, në atë që u pa si një provë për aftësinë e sindikatave për të mobilizuar mbështetje.

Ngado punonjësit marshuan teksa sindikatat kërkuan rritje të pagave për të trajtuar ndikimin e inflacionit dhe rritjen e çmimeve.

Po ashtu kërkuan heqjen e planeve të Macron-it për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 në mënyrë progresive gjatë disa viteve.

Këmbëngulja e presidentit për të nxitur ndryshimet në sistemin e pensioneve mbetet gjerësisht jopopullore aq sa ka mobilizuar sindikatat e majta dhe partitë opozitare të majta dhe të ekstremit të djathtë.

Sipas ministrave, projekt-legjislacioni për ndryshimet e pensioneve do të jetë gati deri në Krishtlindje, me një proces konsultimi që do të nisë javën e ardhshme.

Por partia centriste e Macron humbi shumicën e saj parlamentare në zgjedhjet e qershorit, gjë që ka dëmtuar seriozisht aftësinë për të shtyrë ndryshime të mëdha legjislative siç është plani i pensioneve.

Ministri i Punës, Olivier Dussopt, ka thënë se ai nuk mund të përjashtonte mundësinë e shpërbërjes së parlamentit nga Macron nëse partitë opozitare bashkohen për të bllokuar qeverinë.

Por kjo do të shkaktonte menjëherë zgjedhje të reja parlamentare.

Qeveria po mbështetet te politikanët e djathtë nga partia Les Républicains në përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre për masat e pensioneve në mënyrë që të kalojë projektligjin.

Qeveria argumenton se Macron ka miratuar rritjen e pagave për nëpunësit civilë dhe mësuesit dhe ka vendosur një nga rrjetet më bujare kundër inflacionit të Evropës.

Por sindikatat kanë thënë se pagat ishin ende duke u gërryer nga inflacioni dhe duhej bërë më shumë.

Sakaq, rritjet e premtuara të pagave për mësuesit nuk priten deri në fund të vitit të ardhshëm, me konfuzion rreth asaj se cilët mësues dhe sa do të përfitojnë.

Një në dhjetë shkolla në Paris pritet të mbyllen, ndërsa 300 të tjera do të mbyllen në zonën jugore Bouches-du-Rhone që përfshin Marsejën.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore