Sport

Messi me magji, Kolumbia me penallti, katër ekipet e mbetura në Copa America


Është mbyllur faza çerekfinale edhe në një tjetër kompeticion madhor.

Në anën tjetër të botës, në kontinentin Jug-Amerikan, kanë mbetur katër skuadra që luftojnë për trofeun më të vjetër në futbollin e shteteve.

Peru-ja, pas penalltive, arriti finalen në ndeshjen e zjarrtë që në kohë të rregullt përfundoi 3-3.

E ata në gjysmëfinale do të gjejnë Brazilin, që fitoi me rezultat minimal 1-0, përballë Kilit.

Sot pas mesnate, u zhvilluan edhe dy ndeshje tjera, për të caktuar katër emrat e fundit që do të përballen për trofeun.

Në “Estadio Nacional de Brasilia”, Uruguaji dhe Kolumbia u përballën në një ndeshje shumë të luftuar.

Përkundër rasteve të shumta të krijuara përgjatë 90 minutave, portat mbetën të paprekura.

Në Copa America, gjatë fazës çerekfinale dhe gjysmëfinale, pas përfundimit të 90 minutave, në rast barazimi, ndeshja iu drejtohet penalltive.

E penalltitë ishin në anën e Kolumbisë në këtë ndeshje, duke fituar me rezultat 4-2.

Kolumbia do të priste fituesin e ndeshjes Argjentinë – Ekuador, që filloi në orën 03:00 pas mesnatës.

Argjentina e kishte shumë të lehtë, falë një Messi që u paraqit në mënyrë të jashtëzakonshme.

Albiselestët fituan me rezultat 3-0, e në të gjitha golat i përfshirë ishte Lionel Messi.

Gjashtë herë fituesi i topit të artë dhuroi dy asistime për dy golat e parë, atë të Rodrigo de Paul dhe Lautaro Martinez.

Pak para fundit të ndeshjes, me një predhë nga goditja e lirë, Messi shënoi, e vulosi rezultatin përfundimtar 3-0.

Në gjysmëfinale, Argjentina do të përballet me Kolumbinë, më 7 korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore