Shqipëria

Merrte ryshfet, arrestohet drejtori i IKMT-së Dibër


Të premten e 10 shtatorit ka ranë në prangat e policisë drejtori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Qarkun e Dibrës dhe administratori i një firme private që operonte në fushën minerare.

Policia bëri të mundur arrestimin e shtetasit L. M., 56 vjeç – me detyrë drejtor i IKMT-së – me ndihmën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

56-vjeçari, banues në Tiranë, akuzohet se ka abuzuar me funksionin si drejtor, duke marrë ryshfete nga shtetasi E. E., 34 vjeç – administrator i kompanisë që operonte në fushën minerare në Dibër.

Përkatësisht drejtori i IKMT-së ka marrë nga 34-vjeçari shumën prej 50 mijë lekëve të rinj. Korruptimi ka ardhur për të mos filluar procedurën për shkeljen e konstatuar tek ky subjekt nga grupi i kontrollit për mungesën e dokumentacionit, si lejen mjedisore e dokumente të tjera.

Në cilësinë e provës materiale shtetasit L. M, iu sekuestrua shuma e këtyre parave të marra. Si dhe shuma prej 29 mijë e 500 euro, 1 mijë e 300 dollarë dhe 896 mijë lekë të rinj, të gjetura nga policia gjatë kontrollit në banesën e tij.

Ndërkohë materialet procedurale i kanë kaluar SPAK-ut për kryerjen e veprës penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore