Lajme

Merkel zhgënjeu Putinin me deklaratën mbi marrëveshjet e Minsk-ut


Presidenti rus Vladimir Putin ishte i zhgënjyer nga deklarata e ish-kancelares gjermane Angela Merkel se marrëveshjet e Minskut të nënshkruara në vitin 2014 i dhanë Ukrainës kohë për t’u përgatitur për luftë me Rusinë.

“Për mua kjo ishte krejtësisht e papritur. Është zhgënjyese. Nuk e prisja ta dëgjoja këtë nga ish-kancelarja. Gjithmonë prisja që udhëheqja e Gjermanisë të sillet me sinqeritet”, u shpreh fillimisht shefi i Kremlin-it.

Sipas tij, Merkel ishte në anën e Ukrainës, e mbështeti atë.

“Por prapë më dukej se udhëheqja e Republikës Federale të Gjermanisë kërkonte sinqerisht një zgjidhje të bazuar në parimet që u arritën, veçanërisht në kuadër të procesit të Minsk-ut”, shtoi Putin.

Presidenti tha në vijim të bashkëbisedimit me gazetarët, se fjalët e Merkel-it nënkuptonin se ai “bëri gjënë e duhur” duke shkuar në luftë kundër Ukrainës.

“Rezulton se askush nuk planifikoi të përmbushte të gjitha këto marrëveshje të Minsk-ut… Ata (pjesëmarrësit) na gënjyen dhe qëllimi ishte vetëm të pomponim Ukrainën me armë dhe të përgatiteshim për armiqësi. Epo, me sa duket, ata e gjetën rrugën vonë. Ndoshta ajo (lufta) duhej të kishte filluar më herët”, ravijëzoi në përmbyllje Putin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore