Sport

Mënyrë unike e zgjedhjes së klubit të ardhshëm – Vidal fton fansat e tij të votojnë


Arturo Vidal do ta zhvillojë ndeshjen e fundit me fanellën e Inter-it këtë të diele, ku skuadra e tij do të përballet me Sampdoria-n.

Futbollisti kilian do të largohet nga skuadra e Milanos, i cili gjithashtu pritet që t’i japë fund futbollit në Evropë.

Ai ka vendosur që ta vazhdojë karrierën në Amerikën Latine, kur brazilianët e Flamengo-s dhe klubi i vendlindjes së tij, Colo-Colo, janë të interesuar për të.

Vidal është në një udhëkryq se në cilin klub të vazhdojë karrierën, andaj ka menduar një mënyrë unike për të zgjedhur skuadrën e re.

Kështu, nëpërmjet një sondazhi në rrjetet sociale, Vidal ka ftuar tifozët e tij të votojnë se cili duhet të jetë klubi i ardhshëm.

Nga sondazhi, rezultoi se pjesa më e madhe e fansave kërkon ta shohë mesfushorin pjesë të brazilianëve të Flamengo-s.

Megjithatë, diferenca e votave ishte e ngushtë dhe tashmë i takon 34 vjeçarit të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të zgjedhë njërin prej klubeve.

Sa i përket Colo-Colo-s, në rast të transferimit aty, kjo do të ishte një rikthim për Vidal-in, i cili po në atë klub e filloi karrierën e tij.

Kujtojmë që Vidal pati një karrierë mjaftë të suksesshme në Evropë. Pas skuadrës kiliane, ai u transferua ne Bayer Leverkusen, e më pas luajti edhe për Juventus-in, Bayern Munich-un e Barcelonën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore