Shqipëria

Mendja është gjithmonë ‘e uritur’ për lojëra…


Edhe sikur të gjendemi në zgripin e ngopjes, mendja është gjithmonë e uritur që të punojë rrengje, apo të luajë një melodi tjetër që ia kumbon dhe ia beh vetes.

Në muajin e Ndërgjegjësimit të Shëndetit Mendor, “vaktet” që serviri pandemia e Covid-19 “lanë një shije” te gjithsecili, me përvojat e lockdown-it apo mbylljes si qarkore brenda mureve të vetmisë.

E të gjitha lojërat në mendjen tonë nuk luhen asnjëherë vetëm, për sa kohë mendja nuk thotë ndonjëherë “jo”.

“Ndonëse, jemi tashmë në një normalitet të ri, periudha e vështirë që kaluam, ka lënë ‘shenjën e saj’ në mendjet dhe zemrat tona”, thotë fillimisht psikologia klinike, Arilda Dushaj.

“Kjo ‘vatër’”, sipas saj, “mund të rindizet sërish nëse jemi përballë situatave të tjera traumatike. Ngjarja është kthyer në një normalitet, por frikërat dhe pasiguritë tona do të jenë në efekt afatgjatë”.

Arilda Dushaj

Ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor

Në vijim, psikologia klinike, Dushaj, e cila ofron shërbime psikoterapeutike individuale dhe grupi (të supervizuar), shpjegon se kur flasim për ndikimin e pandemisë te shëndeti mendor, nuk mund të mos përmendim target-grupe të veçanta dhe faza të ndryshme.

“Nëse flasim për fillimin e pandemisë dhe karantinimin, të gjithë u përballëm me një realitet të ri, sipas të cilit ishim të detyruar të rrinim në shtëpi, të vetizoluar, të ndarë nga të dashurit dhe familjarët”, thotë ajo.

Psikologia thotë se kështu “humbëm lirinë tonë dhe ishim në gjendje alarmi, se mos jemi infektuar ose jo. Pra, një frikë e madhe për ekzistencën tonë”.

Sipas saj, të gjitha këto na gjetën të papërgatitur, me një nivel të lartë pasigurie, mungese stabiliteti, humbje të rutinës së përditshme, frikë për shëndetin tonë dhe të familjarëve tanë.

“Përmenda në fillim target-grupe të ndryshme dhe faktorë të tjerë, të cilat kanë ndikuar në mënyrën që secili nga ne e ka përjetuar këtë pandemi dhe izolimin social”, shprehet Dushaj.

Ndërsa sjellë në vëmendje profesionistët e kujdesit shëndetësor, ajo shton se ka pasur persona, të cilët kanë punuar, duke u ekspozuar vazhdimisht ndaj virusit.

Ata kanë pasur shumë përgjegjësi dhe një nivel të lartë rraskapitjeje emocionale dhe mendore.

“Ka pasur dhe persona të tjerë, të cilët kanë punuar nga shtëpia, dhe u është dashur të menaxhojnë punën nga shtëpia me përgjegjësitë e tyre familjare, ose të tjerë që kanë humbur punën e tyre për shkak të pandemisë”, thotë Dushaj.

Grup-moshat dhe përjetimet e tyre

Sakaq, ajo deklaron se në realitetin tjetër, kemi persona dhe individë me vështirësi të lartë socio-ekonomike, që përjetimin e pandemisë, frikës për jetën dhe mbijetesën, e kanë pasur edhe më të lartë.

Një ndryshim tjetër, sipas saj, gjendet te mënyra se si individët e kanë përjetuar këtë situatë: nëse e kanë kaluar apo jo virusin, apo kanë pasur familjarë të tyre që kanë humbur jetën, për shkak të tij?

“Në raste të tilla”, shton ajo, “flitet për gjendje të rënda emocionale dhe ndoshta edhe simptoma të depresionit dhe ankthit”.

Sa i përket moshës së tretë, shprehet Dushaj, “ashtu si ne, gjyshërit dhe gjyshet përjetuan frikë të lartë nga infektimi, vetmia, mërzia dhe ndjenja të larta pasigurie… larg familjarëve të tyre dhe larg mbështetjes e afeksionit që aq shumë kishin nevojë”.

Duke shtuar këtu edhe ndikimin mbi shëndetin emocional dhe mendor, të faktit që “trajtohesh” si grup më vulnerabël, më në rrezik dhe duke dëgjuar teori të shumta konspirative në media mbi pandeminë dhe moshën e tretë, rrisnin ndikimin në shëndetin e tyre psiko-emocional.

“Një tjetër grup janë studentët, të cilët, për shkak të pandemisë janë privuar nga kënaqësitë e mësimit interaktiv, kontaktit fizik dhe social, duke shtuar vështirësinë për ta ndjerë mësimin online dhe ankthi i lartë për rezultatet”, sqaron Dushaj.

Sipas saj, ajo çka është thelbësore në pandemi, që na bashkon të gjithëve, ka qenë ndjenja e pasigurisë, frika nga e panjohura dhe mungesa e parashikueshmërisë… të cilat provokojnë shumë stres, ankth, frikë për ekzistencën tonë dhe ndryshime në humor.

Shërbimi apo përkujdesja ndaj shëndetit mendor

Në vijim, psikologia thotë se vëmendja dhe i gjithë përkushtimi u përqendruan në të kuptuarin e epidemiologjisë, aspekteve klinike, paternave të transmetimit.

Sipas saj, u vu re më pak interes në të kuptuarin e efekteve, studimin dhe investimin në shëndetin mendor, përmirësimin e stigmës dhe mbështetjes emocionale tek e gjithë popullata apo në grupe vulnerabël.

Megjithatë, duke sjellë shembin e Shqipërisë, gjatë periudhës së karantinës ka pasur një gatishmëri shumë të lartë nga profesionistët e fushës për të ofruar këshillime psikologjike dhe eksperienca terapeutike falas.

Ajo përmend nismën e Urdhrit të Psikologut, nukjevetëm.al dhe Shoqatës së Analizës së Grupit në Shqipëri, e cila vazhdon të ofrojë grupe eksperienciale për komunitetin online, pa paguar asgjë.

Dushaj shton se ka pasur edhe nisma të tjera nga organizata dhe profesionistë të fushës, por është e domosdoshme që të rritet fokusi ndaj shërbimeve të shëndetit mendor, stigmës dhe mirëqënies së gjithsecilit prej nesh edhe më shumë në nivel institucional.

Sa i përket vaksinimit, psikologia shpreh keqardhje se një mundësi “parandalimi dhe shpëtimi” le të themi, ne i “veshim” ndjenja pasigurie dhe paranoja në nivel kolektiv, qoftë nga media apo nocionet politike.

Sipas saj, ky mbetet një vendim personal, por që tashmë jemi pak më të qetë, duke pasur fakte parandaluese, siç është vaksina.

Ndryshe nga fillimi, kur Dushaj thotë se panjohura na “kaploi” botërisht, qoftë në të kuptuarin e mekanizmave të transmetimit, parandalimit dhe frikës së infektimit.

Përjetimi i një profesionisti

Për psikologen Dushaj, përjetimet ndaj pandemisë variojnë nga periudhat kulminante që ne përjetuam, qoftë periudha e karantinimit që në Shqipëri ndodhi brenda ditës, dalja nga karantina, masat izoluese dhe më pas përpjekjet për t’iu kthyer realitetit.

“Pavarësisht profesionit që kemi, në situata të tilla të gjithë kemi nevojë për ndihmë dhe të gjithë jemi vulnerabël”, u shpreh ajo.

Duke rrëfyer përvojën personale, Dushaj ndau se vështirësinë më të madhe e ka pasur në gjysmën e dytë të karantinës. Fillimisht, të qenit pas shumë kohësh me familjen me një mundësi për të shijuar njëri-tjetrin, apo për t’u relaksuar nga “ky vrull” i jetës së përditshme nuk e lanë të përjetonte shumë emocione negative.

“Më pas kam përjetuar nivel të lartë stresi, ndjenja pasigurie, frikë dhe ankth për të ardhmen e paparashikueshme! Në moment të tillë e kupton sesa kohë na merr rutina dhe sa shumë na shpërqendron nga vetja, dyshimet tona, frikërat dhe pikëpyetjet që kemi mbi atë çfarë kemi apo çfarë duam të arrijmë”, u shpreh Dushaj.

Sakaq, rikthimi më pas në kontakte social, edhe pse të kufizuar, rikthimi ndaj rutinës, dhe ndaj jetës në vetvete e qetësoi dhe i krijoi sërish një ndjenjë kuptimi dhe jete.

“Ky është përjetimi im personal, por shumë persona kanë pasur ndikime dhe më të mëdha kundrejt shëndetit mendor për shkak të humbjeve që kanë pasur nga pandemia”.

Kush është më “i uritur” nga e nesërmja

“Kemi kaluar një vit të gjatë nën frikë, presion dhe me eksperienca traumatike dhe detyrimisht ndikimi në shëndetin mendor është i lartë. Por na ka shërbyer edhe si eksperiencë reflektimi qoftë në nivel institucional dhe vendor për politikat ndaj kujdesit shëndetësor dhe për një vëmendje më të lartë në shëndetin tonë mendor”, deklaron Dushaj.

Në nivel personal, sipas saj, Covid-19 na shërbeu për të reflektuar dhe për të parë gjërat e rëndësishme në jetë, për të vlerësuar çfarë kemi dhe çfarë duam të arrijmë apo për të dhuruar më shumë afeksion dhe mbështetje ndaj vetes dhe të tjerëve.

“Unë arrita të shoh veten time nga një tjetër perspektivë dhe koha kur bota ‘u ndal’ më shërbeu për t’u ndalur dhe unë te vetja ime, ndjenjat e mia dhe kthesat që duhen ndonjëherë në jetë për të qenë më të shëndetshëm… gjë të cilën s’do e kisha bërë më përpara, sepse rutina ka një aftësi shumë të lartë për të kamufluar dhe për të të mbushur me emocione jo reale”, përmbylli Dushaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore