Lajme

Mehaj pranon ‘Çelësin e Qytetit’ në shenjë mirënjohjeje nga Rama


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka nderuar tanimë ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehajn, duke i dhuruar atij, Çelësin e Qytetit.

Ceremonia brenda të cilës, Mehajt iu dhurua Çelësi i Qytetit u mbajt në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës, derisa Rama ka shprehur edhe fjalët më të mira për ish-ministrin.

Rama ka thënë se bashkëpunimi në mes të komunës që ai drejton si dhe ministrisë në krye të së cilës qëndroi Mehaj, ishte i “mrekullueshëm”, derisa një relacion i tillë, sipas të parit të Prishtinës, “duhet të jetë shembull për të gjithë”.

“Me keqardhje e zemër të thyer, përkundër faktit që kemi pas një marrëdhënie fantastike, ke ardhur prej Norvegjie në vendlindje dhe ke bërë një shërbim fantastik. Pra, kemi pas një bashkëpunim të mrekullueshëm. Kemi krijuar një bashkëpunim të mirëfilltë që është shembull për të gjithë”, ka thënë Rama.

“E kuptoj vendimin e juaj, mirëpo nuk mund të them se një mik i madh që kam pas këtu, tash nuk do të jetë në institucion, por shpresoj se miq do të mbesim përgjithmonë”, ka shtuar, raportoi KSP.

I lumtur për këtë mirënjohje është shprehur edhe ish-ministri Mehaj, i cili është shprehur i befasuar me rastin e pranimit të Çelësit të Qytetit, derisa një gjest të tillë të Ramës, e ka cilësuar si “nderim të veçantë”.

“Me të vërtetë pak befasi dhe e papritur, por së pari faleminderit për bashkëpunimin, për punën që po bëni për qytetarët e kryeqytetit. Je shembull për bashkëpunim, i kemi borxh këtij vendi shumë, të përgëzoj për bashkëpunimin, po bën një punë të mrekullueshme”, ka thënë Mehaj.

“Pleqtë kanë thënë rri shtrembët e fol drejt, e unë jam prej atyre. Përkushtimi ndaj popullit është shumë i rëndësishëm, të ja kthejmë çdo njëri aq sa kemi vullnet për një bashkëpunim të plotë. Bashkëpunimi sidomos me ty personalisht ka qenë shumë i lehtë, pa shumë filozofi, e kemi gjetur një zgjidhje të përbashkët për të mirën e qytetarëve, me fjalë pak e shumë punë. Është nderim i veçantë, do të më keni prapa në çdo mënyrë në mbështetje të Kosovës”, ka shtuar ai.

Dhurata nuk kishte vetëm nga Rama dedikuar Mehajt, por edhe anasjelltas.

Ish-ministri, i ka dhuruar kryetarit të kryeqytetit, një emblemë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), derisa ka thënë se “kjo është si shenjë për përkushtimin që edhe ata që vinë pas tij në Ministrinë e Mbrojtjes, ta përcjellin të njëjtën frymë për të mirën e vendit”.

Pse u dorëhoq Mehaj?

Arsyetimi i Mehajt ishte se një gjë të tillë e ka bërë për shkaqe familjare, por burime të Albanian Post brenda ministrisë së Mbrojtjes bëjnë me dije se pakënaqësitë që kishte Mehaj me zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovë e kanë shtyrë atë që ta marr një vendim të tillë.

Mehaj e kishte ofruar dorëheqjen e tij tek kryeministri Albin Kurti, pasi që Forca e Sigurisë së Kosovës ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe ‘23”, më 30 maj.

Por, kjo s’ishte arsyeja e vetme, meqë AP ka kuptuar se Mehaj ka pasur pakënaqësi me disa kontrata që janë nënshkruar në këtë dikaster.

Njëra nga to ka qenë edhe kontrata për blerjen e doneve Bayraktar TB-2, të cilët Kosova i ka blerë nga Turqia, ndërsa blerja e tyre u bë publike nga kryeministri Kurti më 16 korrik.

Ndërkaq ministër i ri Mbrojtës është caktuar Ejup Maqedonci.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore