Shqipëria

Mega-operacion i Policisë së Elbasanit: 45 persona të arrestuar për trafik droge


Policia e Elbasanit ka përmbyllur një mega-operacion në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në përfundim të saj, janë arrestuar 45 persona, ndërsa shtatë të tjerë janë ende në kërkim nga ana e autoriteteve.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, në një konferencë për mediat.

Zyrtari i Policisë shtoi se mes personave të arrestuar janë kultivues, shpërndarës dhe furnizues të lëndëve narkotike.

Gjatë tre muajve hetime për trafik droge në bashkëpunim janë angazhuar 490 efektivë dhe 5 dronë, të cilët kanë kontrolluar 52 banesa dhe 18 lokale.

“Gjatë kontrolleve policia ka gjetur dhe sekuestruar 1 kilogram e 313 gramë kokainë, 860 gramë heroine, 1 kilogram kanabis, mijëra doza kokainë, fara kanabis, metadon të sekuestruara. Një armë zjarri, sasi municioni, silenciatorë, armë të forta si dhe një shumë prej 51 milionë lekësh dhe 15 mijë euro”, shtoi Proda.

11 prej shtetasve të ndaluar kanë qenë të dënuar për vepra të lëndëve narkotike, ndërsa të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Proda theksoi se është shkatërruar totalisht një grup kriminal dhe pjesërisht tre grupe të tjera kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore