Lajme

Medvedev paralajmëron luftë bërthamore nëse Moska ndëshkohet nga ICC-ja


Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka paralajmëruar të mërkurën e 6 korrikut mundësinë e një lufte bërthamore nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) vendos të ndëshkojë Moskën për krime lufte në Ukrainë.

“Ideja për të ndëshkuar një vend që ka arsenalin më të madh bërthamor është absurde në vetvete”, tha Medvedev, aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin, në aplikacionin e mesazheve Telegram.

“Dhe potencialisht krijon një kërcënim për ekzistencën e njerëzimit”.

Medvedev, i cili ishte presidenti i Putinit midis viteve 2008 dhe 2012, tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit.

Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan ta vënë Moskën para gjykatave ndërkombëtare, ndërkohë që vetë nuk u përballën kurrë me dënimin për luftërat e veta, të cilat, sipas tij, shkaktuan 20 milionë vdekje në mbarë botën.

“E gjithë historia amerikane, duke filluar nga shtypja e indianëve, janë luftëra të përgjakshme asgjësimi”, tha 56-vjeçari Medvedev, duke iu referuar amerikanëve vendas.

Që kur Putin dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt, Medvedev ka përdorur rregullisht rrjetet sociale për të sulmuar Perëndimin dhe ata që kritikojnë Moskën.

Muajin e kaluar, ai i quajti ata që “urrejnë” Rusinë si “të degjeneruar” dhe u zotua se do të punonte për t’i “zhdukur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore