Lajme

Mediat hungareze dënojnë goditjen ndaj ‘ndërhyrjeve të huaja’ në ligjin e ri


Dhjetë media të pavarura hungareze kanë lëshuar një paralajmërim të përbashkët se ligji i ri është “i aftë të kufizojë ashpër lirinë e shtypit”.

Për organizatat e medias, të cilat variojnë nga organet e vogla investigative deri te portalet e njohura të lajmeve në internet, ligji i miratuar nga parlamenti hungarez mund ta bëjë “të vështirë apo edhe të pamundur funksionimin e redaksive të pavarura, gazetarëve dhe kompanive të medias”.

Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, ka argumentuar se qeveritë dhe individët perëndimor po financojnë dhe drejtojnë kundërshtarët e tij.

Në javët e fundit, qeveria hungareze intensifikoi mesazhet e saj të brendshme mbi pretendimin se forcat e huaja po ndërhynin në jetën publike hungareze dhe se nevojiteshin rregulla më të rrepta për të mbrojtur sovranitetin e vendit.

Ligji i miratuar këtë javë krijon një zyrë për mbrojtjen e sovranitetit, e cila ka kompetenca të gjera për të hetuar këdo aktiv në jetën publike.

Sipas një zëdhënësi të qeverisë hungareze, zyra do të “funksionojë në mënyrë autonome me një buxhet të pavarur, duke u fokusuar në analizë, vlerësim dhe hetim për të mbrojtur identitetin kushtetues duke shqyrtuar ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike dhe vendimmarrëse të Hungarisë”.

Por grupet hungareze të shoqërisë civile dhe organizatat e medias janë të mendimit se qëllimi i vërtetë i legjislacionit nuk është llogaridhënia, por të frikësojë dhe të heshtë kritikët.

“I ashtuquajturi Autoriteti i Mbrojtjes së Sovranitetit do të jetë një organ i emëruar në mënyrë arbitrare me kompetenca të pakufizuara, që do të funksionojë pa asnjë mbikëqyrje”, kanë thënë organizatat mediatike në deklaratën e tyre.

Për to, kjo zyrë do të ketë mjetet për të kërcënuar dhe ngacmuar individët dhe organizatat që synon.

Grupet mediatike kanë dalluar se ligji “nuk i shërben sigurisë së informacionit të shoqërisë; përkundrazi, synohet ta minojë atë drejtpërdrejt me kërcënimin ndaj medias së lirë dhe debatit demokratik.

Sakaq, ligji ka ngritur shqetësime edhe jashtë Hungarisë.

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit ka deklaruar se “dënon kalimin e Aktit të Mbrojtjes së Sovranitetit nga qeveria e Orbán pa konsultimin e duhur publik dhe bën thirrje për një sfidë të BE-së kundër ligjit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore