Shqipëria

Me Tiranën në balotazh, përmbyllen primaret e PD-së


Ashtu siç pritej, do të jenë deputeti Belind Këlliçi dhe mjeku Ilir Alimehmeti, dy kandidatët kryesorë për të përfaqësuar Partinë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, në kryeqendrën e vendit, Tiranë.

Me një rezultat dukshëm (dhe në limite) në favor të Këlliçit, i cili mori 4 mijë e 40 vota, por jo 50% të totalit prej 8 mijë e 470 votave dhe nga ana tjetër Alimehmetit, i cili arriti të rrokë 2 mijë e 196 vota, PD-ja mbyll kështu primaret në gjithë vendin dhe shpall kandidaturat zyrtare në thuajse të gjitha bashkitë.

Rreth garës për Tiranën dhe shtatë kandidatëve në tërësi në kryeqytet, i treti u rendit ish-deputeti, Gerti Bogdani, me 1 mijë e 819 vota, pa pasur mundësinë të avancojë në fazën tjetër të procesit.

Me 157 votëbesime, Julian Deda u rendit i katërti. Me 128, ishte Adriana Kalaja dhe përmbledhjen e tabelës e finalizojnë Enkelejda Fejzo me 66 vota dhe Fatmir Merkoçi me 35 të tilla.

Të pavlefshme ndërkohë, u shpallën 29 fleta votimi.

Balotazh do të ketë po ashtu në Fier, mes kandidatëve Evdar Kodheli dhe Artur Mahmutaj.

Teksa, në Dibër, Besnik Alku do të jetë në balotazh me Ismail Ukën.

Emri i fituesit të parë të dalë nga primaret, ishte ai i Albert Malajt, për Bashkinë Memaliaj, i cili ka marrë 300 vota, karshi 20 të kundërshtarit të tij, Bukurosh Ajdini.

Malaj vjen nga radhët e Partisë së Lirisë dhe mori pjesë në primare, si pjesë e koalicionit të shpallur mes PD-së dhe PL-së, i firmosur nga kryetarët respektivë të partive, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Kështu, Malaj do të jetë kandidat zyrtar për zgjedhjet e 14 majit 2023, në Memaliaj.

Bardh Spahia, është konfirmuar si kandidat për Bashkinë Shkodër.

Teksa, në Vaun e Dejës, deputeti Zef Hila, ka arritur të marrë numrin më të lartë të votave, duke bërë kështu që ai të lërë mandatin e deputetit dhe të hyjë në garë për zgjedhjet vendore.

Për bashkinë e Selenicës nga ana tjetër, fitues është shpallur Leonard Rakipaj.

Kukësi do të ketë për kandidat një mjek, Admir Sinamati, i cili ka marrë 989 vota dhe është shpallur fitues.

Dëfrim Fiku, është shpallur fitues në Bulqizë, me 453 vota.

Zija Ismaili, është kandidati fitues në Berat, duke lënë pas rivalin Sazan Guri. Në Shijak, procesi ka përfunduar, ku fitues është shpallur Rezart Tusha. Ndërsa Libohovën, e ka fituar Adil Xhelili.

Ndriçim Babasi, është fituesi për Bashkinë e Krujës, me 168 vota.

Gjirokastra do të shohë të garojë kandidatin Dorian Lani, Përmeti Edmond Kominon, Tepelena Baftjar Imerin, si edhe Këlcyra, Arjan Kasajn.

Kështu është bërë me dije nga drejtuesi demokrat i qarkut Gjirokastër, Tritan Shehu, i cili ka publikuar listën e plotë të fituesve në bashkitë e qarkut që drejton.

Për Bashkinë Vorë, fitues i garës është shpallur Indrit Hoxha, me 82% të votave.

Kuçova do të shohë për kandidat një emër të njohur, si ai i Lefter Maliqit, nga radhët e Partisë së Lirisë.

Në Konispo, do të garojë më 14 maj Fatmir Shero, i cili ka marrë 137 vota përballë rivalit, Aleksandër Lokoshi.

PD-në në Elbasan, do ta përfaqësojë deputeti Luçiano Boçi, i cili do të lërë kështu mandatin për të garuar në zgjedhjet vendore 2023.

Në primaret e Kurbinit ndërkohë, fitues është shpallur Behar Haxhiu. Teksa në Mirditë, do të ketë balotazh mes Albert Mylyshit dhe Aleksandër Lalës.

Qyteti jugor i Vlorës, në garë nga radhët e demokratëve më 14 maj, do të shohë Hysni Sharrën, i cili në përfundim të procesit, ka thënë se kërkon t’i rikthejë qytetarëve vlonjatë bashkinë e munguar prej vitesh.

Në Korçë, fituese është shpallur ish-deputetja Ledina Aliolli, e cila do të përfaqësojë tashmë PD-në në zgjedhjet vendore 2023 në bashkinë më të madhe juglindore të vendit.

Në Patos është emri i Sofie Alushajt ai fitues, ndërsa në Mallakastër është zgjedhur Resmi Shanaj.

Igli Cara nga ana tjetër, do të jetë garuesi zyrtar për Durrësin, pasi ka arritur të marrë 1 mijë e 400 vota.

Në Kamëz, fitues dhe përfaqësues i PD-së në zgjedhjet vendore 2023, do të jetë Arjan Hoxha, me një kontestim rezultati nga rivali i tij në garë, Asllan Dogjani, i cili ka pretenduar se vota janë vjedhur dhe brenda forcës politike, diçka e tillë ishte e papranueshme të ndodhte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore