Kosova

“Me theqafesit apo me miqtë”, reagon Lama pas kritikave të Gjermanisë e Francës për Kurtin për mos de-përshkallëzim të situatës në Veri


Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka reaguar pasi ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës deklaruan të martën se thirrjet e tyre për de-përshkallëzim të situatës në veri të vendit s’e kanë marrë vëmendjen e ekzekutivit kosovar apo kanë hasur në “vesh të shurdhër”.

“Zgjedhja është e thjeshtë, me theqafesit apo me miqtë?”, ka pyetur ajo përmes një postimi në Facebook.

“Intervista e ambasadorit francez dhe gjerman ne televizionin publik është paralajmërim i qartë i miqve për shtetin e Kosovës, jeni në rrugë të gabuar, ndryshoni”.

Ajo ka theksuar se “kambanat bien për popullin”, sepse qeveria ka kohë qe i ka dëgjuar këto nëpër takime.

Ndryshe, Gjermania dhe Franca – dy vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe ndër sponsorët kyç të pavarësisë së Kosovës – nuk janë më entuziaste për të mbështetur interesat dhe aspiratat e saj euro-atlantike, pasi thirrjet e tyre për de-përshkallëzim të situatës në veri të vendit s’e kanë marrë vëmendjen e ekzekutivit kosovar apo kanë hasur në “vesh të shurdhër”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, së bashku me homologun e tij francez, Olivier Guerot, në një intervistë të gjatë për Radio Televizionin e Kosovës, kanë bërë me dije se Qeveria e Kosovës po shkon në prapakthim për shkak të mos-koordinimit me aleatët perëndimorë.

Të dy diplomatët pohuan njëzëri se vendimet e fundit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, janë duke ndikuar drejtpërdrejtë në përkeqësimin e marrëdhënieve biletarale mes shteteve, të cilët ata janë të thirrur t’i përfaqësojnë – një paralajmërim që asnjëherë nuk është dhënë më parë në historinë e re të Kosovës.

Ambasadori Rhode, përveç shprehjes së dukshme të shqetësimit për situatën politike dhe të sigurisë në vend, ka thënë se nuk është aspak lëvizje e zgjuar që kryeministri Kurti ka vendosur të ecë vetëm, ndërsa ka konfirmuar ftohjen e raporteve me Qeverinë e Kosovës për shkak të mos-përmbushjes së kërkesave të tyre për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës në veriun e vendit.

Shqetësimin me kursin e kryeministrit Kurti dhe “kokëfortësinë” e tij e ka shprehur edhe ambasadori Guerot, i cili ka thënë se një pjesë e ndihmës së bashkësisë së organizuar ndërkombëtare mund të copëzohet si pasojë e mos-dëgjueshmërisë ndaj kërkesave dhe pritjeve që kanë nga shteti që fillimisht e çliruan më 1999, pastaj edhe e përkrahën në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2008, pas shpalljes së pavarësisë.

“Na duhet një burrështetas” – Shqetësimi i ambasadorëve që nuk fshihet më

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore