Sport

Më të mirët e vitit nga UEFA


Është mbajtur ceremonia e hedhjes së shortit të edicionit të ri të Ligës së Kampionëve, ku edhe është bërë ndarja e çmimeve individuale për futbollistët më të mirë të edicionit të kaluar.

Pa dyshim që kampioni i Evropës, Chelsea, është skuadra me më së shumti futbollistë të përfaqësuar në këto çmime.

Çmimi si futbollisti i vitit nga UEFA, i takoi mesfushorit, Jorginho.

Ai në edicionin e kaluar fitoi me Chelsea-n Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës, si dhe u shpall Kampion i Evropës me Italinë.

Portieri më i mirë i vitit është zgjedhur ai i Chelsea-t, Eduard Mendy.

Ai mbajti portën e paprekur në nëntë ndeshje të Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar, çka bëri që në këtë garë të mposhtë Ederson nga Man City, dhe Thibaut Courtois nga Real Madrid.

Sa i përket repartit të mbrojtjes, futbollisti i Manchester City-t, Ruben Diaz, ka fituar çmimin si mbrojtësi i vitit nga UEFA.

Diaz ka bërë paraqitje shumë të mira gjatë edicionit të kaluar në Champions Leauge, çka bëri që të shpallet mbrojtësi më i mirë në Evropë, duke mposhtur dyshen e Chelsea-t, Azpilicueta dhe Rudinger.

Edhe çmimi i mesfushorit më të mirë në Evropë, i takon Chelsea-t.

Ngolo Kante fitoi këtë çmim me paraqitjet e tij të mrekullueshme në mesfushë, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitojë Ligën e Kampionëve.

Ndërkaq, sa i përket sulmuesit më të mirë në Evropë, UEFA ka zgjedhur bomberin e Borussia Dortmund, Erling Braut Haaland.

Sulmuesi norvegjez ishte absolutisht brilant për Dormund-in në sezonin e kaluar.

Ai në total shënoi 10 gola në Ligën e Kampionëve, më shumë se çdo futbollist tjetër.

Dhe në fund, trajneri i Chelsea-t Thomas Tuchel, është zgjedhur më i miri në Evropë, duke mposhtur trajnerin e Manchester City-t, Pep Guardiola dhe atë të kombëtares së Italisë, Roberto Mancini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore