Shqipëria

Me 38 kilogramë hashash në skaf, arrestohen 4 persona


Janë arrestuar katër persona, katër të tjerë janë vënë në kërkim dhe një person është proceduar penalisht, pas një operacioni policor katër mujor, i cili është finalizuar me kapjen e 38 kilogramëve lëndë të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në disa pako.

Operacioni i koduar “Hudënishti”, ka pasur disa faza zhvillimi.

E para ishte më 7 gusht, kur u arrestuan në flagrancë dy persona dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim. Në cilësinë e provës materiale në atë kohë, u sekuestruan 23 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Në bazë të hetimeve që zgjatën muajt pasues deri më sot, u bë e mundur edhe kapja e pjesës tjetër dhe vënia në kërkim e disa të tjerëve.

Në bazë të informacioneve të siguruara, tre rajone policie në zonën e Pogradecit, konstatuan në liqen një mjet tip skaf. Me anë të tij, autorët e dyshuar po trafikonin lëndën narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.

Brenda skafit u kapën 38 kilogramë cannabis sativa dhe disa sende të tjera u sekuestruan.

Puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijon nga policia. Persona të tjerë, mendohet se janë bashkëpunëtorë në këtë vepër penale.

Materialet e para ndërkaq, i kanë kaluar Prokurorisë për verime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore