Lajme

Më 15 shkurt mbahet konferenca ndaj ish krerëve të UÇK-së


Ish krerët e UÇK-së.

Më 15 shkurt, do të mbahet konferenca përgatitore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për gjykimin në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjykata Speciale ka bërë publike agjendën e përpiluar nga trupi gjykues, e cila pritet të ndiqet gjatë konferencës, ku njëra ndër pyetjet që trupi gjykues ka parashtruar për prokurorinë është se pse besojnë se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje.

Sipas tyre kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale.

Sipas agjendës së përcaktuar nga trupi gjykues, ata do të kërkojnë përgjigje specifike për çështjet e artikuluara në paragrafët 1-5 të Rregullës 118 të Rregullores, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Konkretisht do të kërkojnë nga prokuroria të përgjigjen në pyetjet: “Sa dëshmitarë gjithsej ka ndërmend të thërrasë ZPS?, a ka ndërmend ZPS të zvogëlojë apo ngushtojë numrin e akuzave në aktakuzë?, a parashikon ZPS paraqitjen e provave në lidhje me çdo vend krimi të listuar në aktakuzë?”.

Përgjigje do të kërkohet edhe për pyetjet se sa sa vende krimi do të referohen në çështjen e Prokurorit të Specializuar dhe sa prej tyre zbatohen drejtpërdrejt për akuzat? Sa kohë mendon ZPS se do t’i duhet të paraqesë provat në çështjen e tij?.

Gjykata Speciale.

A ka qenë i suksesshëm Prokurori i Specializuar në krijimin e një plani apo metode përmes së cilës ai do të jetë në gjendje të shkurtojë kohëzgjatjen e parashikuar të marrjes në pyetje të drejtpërdrejtë të dëshmitarëve?.

Cilët faktorë beson ZPS-ja që duhet të marrë parasysh trupi gjykues kur ushtron diskrecionin e tij për të përcaktuar kohën në dispozicion të Prokurorit të Specializuar për të paraqitur provat e tij?

Gjithashtu do të kërkohet të dinë se cila është data e synuar e Prokurorit të Specializuar për mbylljen e çështjes së saj në dritën e orarit të seancave, detyrimin e Panelit për të siguruar që mbrojtjes t’i ofrohet një mundësi e drejtë për të marrë në pyetje dëshmitarët dhe koha e nevojshme në sallën e gjyqit për të trajtuar çështjet ndihmëse?

Tutje, përgjigje do të kërkojnë edhe për gjendjen aktuale e marrëveshjes ndërmjet palëve për çështje faktike dhe juridike.

Në vijim thuhet se trupi gjykues do të kërkojë përgjigje specifike, nga Prokurori i Specializuar për pyetjet e mëposhtme procedurale shtesë:

“a) Sa dëshmitarë të bazuar në krim do të thirren?, Sa dëshmitarë të “strukturës së UÇK-së” do të thirren?, Sa dëshmitarë do të dëshmojnë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve?, Sa dëshmitarë duhet të dëshmojnë në lidhje me elementet kontekstuale që lidhen me akuzat (në veçanti, ekzistenca dhe natyra e pretenduar e konfliktit të armatosur; ekzistenca e supozuar e një sulmi të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër një popullsie civile)?”.

“Nga këto, sa do të dëshmojnë plotësisht personalisht dhe sa do ta bëjnë këtë në përputhje me Rregullat 153 dhe 154 të Rregullores”, thuhet në agjendë.

Trupi gjykues thuhet se do të kërkojë përgjigje nga palët për pyetjet e mëposhtme për çështje thelbësore si marrëdhënien ndërmjet mënyrave të përgjegjësisë së Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK), ndihmës dhe bashkëpunimit dhe përgjegjësisë superiore (zbatueshmëria kumulative, alternative ose plotësuese)

Trupi gjykues ka listuar edhe pyetjet e mëposhtme në agjendë, për të cilat do të kërkojë përgjigje si zhdukja me forcë, si krim kundër njerëzimit, “a është UÇK-ja një “organizatë politike” sipas kuptimit të nenit 13(1)(i) të Ligjit?), iii. Ndalimi abitrar, si krim lufte.

A duhet të ketë një prag graviteti për heqjen e lirisë?). IV. Tortura, si krim lufte dhe si krim kundër njerëzimit (A kërkojnë të dyja veprat që kryesi të ndjekë një qëllim të caktuar?).

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore