Shqipëria

Mbyllet rinumёrimi nё Durrёs, LSI pa mandat


Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) nuk ka arritur tё sigurojё mandatin nё qarkun e Durrёsit, as pas rinumёrimit tё votave nё kёtё qark.

Pas rihapjes sё 108 kutive tё qarkut tё Durrёsit-tё kёrkuar nga Partia Demokratike(PD) dhe LSI-Partia Socialiste(PS) ka humbur 26 vota.

PD 38 ndërsa LSI ka humbur vetëm një votë.

Çfarё ndodhi gjatë procesit të rinumërimit

Janë rinumëruar 90 nga 108 kutitë e votimit të qarkut Durrës, nga të cilat Lëvizja Socialiste për Integrim fiton vetëm tre vota më shumë. Një shifër kjo e pamjaftueshme për të përmbysur rezultatin dhe për t’i marrë mandatin socialistëve.

Këta të fundit kanë humbur 31 vota nga rinumërimi. Gjithsesi, hendeku i votave midis dy partive ka qenë 136 të tilla.

Partia Demokratike ka humbur gjithashtu 14 vota nga rinumërimi. Ky fakt nuk ndryshon asgjë në garën e demokratëve, pasi mandati i tyre është i sigurt.

Të mbetura janë 18 kuti votimi, të cilat do të japin edhe rezultatin përfundimtar për Durrësin.

Socialistët pritet ta ruajnë mandatin e tyre të tetë në qarkun bregdetar.

Rinumërohen 67 nga 108 kuti votimi

Janë rinumëruar deri më tani 67 kuti nga 108 për qarkun e Durrësit. Nga të dhënat e deri tanishme, Lëvizja Socialiste për Integrim – subjekt i cili ka kryer kërkesën për rihapjen e kutive durrsake – ka fituar vetëm tre vota nga rinumërimi.

Objektivi i socialistëve të qendrës, ishte të fitonin 136 vota, me anë të të cilave ata mund t’i rrëmbejnë Partisë Socialiste mandatin e tetë në Durrës.

Këta të fundit nga ana tjetër, kanë humbur tre vota si pasojë e rinumërimit. Me këto të dhëna, LSI-së i duhen ende 130 vota për të përmbysur rezultatin.

Kjo shifër duket e largët, duke parë se kanë mbetur për numërim vetëm 41 kuti votimi.

Partia Demokratike ka humbur gjithashtu vota nga rinumërimi, 13 të tilla. Pavarësisht këtij fakti, asgjë nuk ndryshon për ta nga këto të dhëna.

Hapen 40 kutitë e para të qarkut Durrës

Rinumërimi i 108 kutive në qarkun e Durrësit, me kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, vijon. Janë hapur deri tani 40 kuti, në të cilat ka rezultuar se LSI-ja fiton vetëm tre vota më shumë nga sa kishte.

Pavarësisht kësaj, shifra është larg 136 votave që duhet të kthejnë socialistët e qendrës, për t’i marrë mandatin e tetë Partisë Socialiste.

Rinumërimi ndërkaq vijon pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për 68 kutitë e mbetura.

Në tërësi, janë tetë grupe numërimi që vijojnë punën.

Rinumërimi i votave për 108 kuti votimi në qarkun e Durrësit, ka filluar më herët, ku LSI-ja pretendon se do të marrë një mandat në qytetin bregdetar.

Nga ana tjetër, pala socialiste është e palëkundur në mendimin se asgjë nuk do të ndryshojë në Durrës pas rinumërimit.

LSI-së i duhen 136 vota të rikuperuara për të fituar mandatin durrsak.

Si arritëm në këtë pikë?

LSI-ja ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Durrësit, duke kërkuar anulimin e rezultatit dhe një proces të ri votimi për gjithë qarkun. Këtë, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksionene pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk e ka pranuar.

Nga ana tjetër, kërkesë ka pasur nga LSI-ja edhe për rinumërimin e 108 kutive në disa zona të caktuara. Kjo kërkesë u miratua nga KAS-i, duke çuar kështu në hapjen e këtyre kutive.

Nëse socialistët e qendrës arrijnë të vërtetojnë pretendimin, ata mund të marrin mandatin e tetë të Partisë Socialiste në Durrës. Për këtë, ata duhet të kthejnë 136 vota në favor të tyre.

Reagimet e përfaqësuesve të LSI, PD dhe PS

Altin Kaziaj, përfaqësuesi i LSI në KAS, tha se do të ndjekin të gjitha rrugët ankimore për të sjellë në ligjshmëri një tabelë rezultatesh të rivlerësuara gabimisht nga ana e KAS.

“Kërkojmë përfundimisht mosmiratimin e rezultateve të bërë nga ana juaj. Kërkojmë shpalljen e pavlefshmërisë të Qarkut të Durrësit, për shkak të cënimit të fortë që ka pasur në këtë fakt”, u shpreh Kaziaj.

Përfaqësuesi i PD, Marash Logu, iu drejtua me fjalё tё ashpra anëtarëve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, ku tha se “vendimi i tyre për Qarkun e Durrësit, është masakër zgjedhore part 2”.

“Ne jemi të qartë anëtarë të komisionit të KAS, nuk kemi pse të tregohemi hipokritë. Nuk ka fletë votimi që thotë është e marrë në këmbim të një leje legalizimi. Nuk ka fletë që thotë se është marrë në formën e votës në kërkim të intimidimit, kërcënimit”, tha Logu.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji, tha se rezultati i rinumërimit të kutive, konfirmoi që nuk ka pasur manipulim zgjedhjesh në Qarkun e Durrësit e më gjerë, pasi sipas tij, humbje votash gjatë rinumërimit, ka pasur për të treja subjektet politike.

Gjithashtu u lajmërua se do të vijojë ditën e enjte, në orën 10:00 procesi i rinumërimit për qarkun e Tiranës, pas pezullimit më parë të këtij të fundit.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore