Lajme

Mbrojtësit e Mariupol-it zbulojnë kushtet për daljen nga uzina “Azovstal”


Zëvendës komandanti i Azov-it, Svyatoslav Palamar, njoftoi kushtet për daljen e mbrojtësve të Mariupol nga territori i uzinës Azovstal.

“Ne jemi gati të evakuohemi me mbështetjen e një pale të tretë nga qyteti i Mariupol-it me armët tona të vogla për të evakuuar personelin që na është besuar”, u shpreh fillimisht Palamar.

Ai foli për situatën aktuale në një video-mesazh të publikuar në kanalin zyrtar Telegram Azov-Mariupol.

Lajmin e bënë të ditur mediat ukrainase.

Palamar theksoi se është e rëndësishme të nxirren të plagosurit dhe të vdekurit nga qyteti.

“Ata që vdiqën në betejë duhet të varrosen me nderime në territorin që nuk kontrollohet nga Rusia”, shtoi ai.

Forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë Azovstal-in, ku ka mbrojtës dhe civilë – gra, fëmijë, të moshuar.

Pavarësisht deklaratave të autoriteteve ruse për “korridorin e gjelbër”, civilët kanë frikë të largohen nga bodrumet e tyre për shkak të granatimeve të vazhdueshme.

Kjo, pasi trupat ruse nuk respektojnë regjimin e armëpushimit.

“Azov” dhe marinsat nuk pranojnë të dorëzohen dhe po mbrojnë veten në mënyrë aktive.

Kujtojmë se më herët komandanti ukrainas Sergey Volynsky u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të shpëtojnë jetën e atyre njerëzve që gjenden ende në Mariupol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore