Pajisje

Mbretëria e Bashkuar kërkon të thyejë barrierat e tregtisë digjitale


Mbretëria e Bashkuar, për të ndihmuar bizneset e saj të eksportojnë shërbimet e tyre, do të thyejë barrierat tregtare digjitale.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se ky do të jetë fokusi i ministres së re të tregtisë në vend, Anne-Marie Trevelyan.

Javën e kaluar, Departamenti Britanik për Tregtinë Ndërkombëtare publikoi një raport që kërkon të parashikojë tendencat në tregtinë globale deri në vitin 2050.

Raporti parashikon që kërkesa për shërbime digjitale do të dyfishohet në dekadën e ardhshme.

“Të gjithë ne varemi nga tregtia digjitale, megjithatë bizneset britanike përballen me pengesa digjitale në vendet që kanë një qasje proteksioniste”, ka thënë Trevelyan në një fjalim virtual në London Tech Week.

Kjo bazuar te ekstraktet e publikuara nga zyra e saj.

“Dua që Mbretëria e Bashkuar t’i thyejë këto barriera dhe të hapë mundësi të reja emocionuese për bizneset dhe konsumatorët, në mënyrë që të shohim produktivitet të përmirësuar, vende pune dhe rritje”, ka vijuar ajo.

Sipas “Reuters”, zakonisht marrëveshjet tregtare fokusohen në heqjen e barrierave tregtare të mallrave, por që prej largimit nga Bashkimi Evropian, Britania ka kërkuar të përfshijë marrëveshje mbi tregtinë digjitale  dhe standarde të përbashkëta në shërbimet profesionale për të nxitur rritjen e sektorit të shërbimeve.

Ky fjalim i parë i Trevelyan që prej marrjes së rolin javën e kaluar, shihet si një lëvizje për të përcaktuar planin e departamentit për të provuar formësimin e politikës digjitale ndërkombëtare.

Kjo pritet të përfshijë krijimin e bashkëpunimit në tregtinë digjitale nëpërmjet marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

Gjithashtu mes planeve që Trevelyan do të përcaktojë janë edhe mbrojtja e shtuar e konsumatorit dhe pronës intelektuale dhe promovimi i zhvillimit të sistemeve digjitale të tregtimit siç është kontraktimi elektronik.

Nga ana tjetër, vetë departamenti dëshiron ta bëjë sektorin digjital më të thjeshtë dhe më të lirë për bizneset që përdorin të dhëna për të tregtuar ndërkombëtarisht, duke i mbajtur rrjedhat e të dhënave kufitare të lira.

Departamenti ka deklaruar se sektori digjital kontribuoi 150.6 miliardë paund në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2019 dhe punësoi 4.6 për qind të fuqisë punëtore kombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore