Lajme

Mbi dhjetë mijë kandidatë deri më tani kanë aplikuar në Policinë e Kosovës


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës, po shihet si institucion kredibil për të nisur karrierën nga shumë djem e vajza të Kosovës.

Ky institucion i kishte hapur dyert për pranimin e zyrtarëve të rinj policorë me datën 28 tetor të vitit 2021.

Nga data 28 tetor e deri më 16 nëntor të këtij viti kanë aplikuar gjithsejtë mbi 10 mijë kandidatë.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post nga zyra për informim në Policinë e Kosovës, kanë treguar në detaje në lidhje me këtë konkurs.

“Deri me datë 16 nëntor kanë aplikuar mbi 10.000 kandidatë, nga të gjitha etnicitetet si dhe gjinitë, përderisa afati për paraqitjen e aplikacioneve është vazhduar edhe për dhjetë (10) ditë duke filluar nga data 17 nëntor 2021 deri me datë 26 nëntor 2021”.

Ata kanë treguar edhe qëllimet e shtyrjes së këtij konkursi.

“Me qëllim të ofrimit të mundësisë edhe më të gjatë kohore për aplikim, si dhe të ju mundësohet aplikimi online në stacionet policore edhe kandidatëve të cilët kanë vështirësi për aplikim online (ju mungojnë pajisjet për aplikim si dhe nuk kanë qasje në internet)”, thuhet tutje në përgjigje.

Nga ky institucion ishin zotuar se do të ndërmerren masa të veçanta të përkohshme afirmative me qëllim të garantimit të të drejtave të barabarta gjinore, promovimit të barazisë gjinore dhe me qëllim të rritjes së përfaqësimit të zyrtareve policore gra në Policinë e Kosovës.

“Masat e veçanta të përkohshme afirmative që do të ndërmerr Policia e Kosovës do të zbatohen në procedurën e rekrutimit dhe punësimit në Policinë e Kosovës, në mënyrë që gjatë procesit të rekrutimit të zyrtarëve policorë nga të gjithë ata kandidatë që do të plotësojnë kushtet dhe kalojnë pragun e kalueshmërisë 70% përparësi do të këtë gjinia femërore”, thuhej në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore