Lajme

Mbi 6 milionë euro të tjera ndahen për rrymën në veri


Ilustrim.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, KOSST, ka ndarë edhe 6.7 milion euro të tjera për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore, duke zgjatur edhe periudhën e pagesës deri në fund të këtij viti.

Pra, kostoja fillestare prej 11 milionë eurosh tashmë është rritur në 17.7 milionë euro.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

“Pas rekomandimeve të aprovuara nga Kuvendi i Kosovës në muajin maj 2021 përmes së cilës KOSTT është autorizuar për shfrytëzimin e buxhetit vetanak për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, KOSTT ka ndarë buxhet në vlerë të përgjithshme prej 17.7 milionë euro për mbulimin e humbjeve për veriun deri më 31 dhjetor 2021”, ka thënë Zana Bajrami-Rama, menaxhere për komunikim në KOSTT.

Më 6 maj të vitit 2021, me 61 vota “për”, pa praninë e deputetëve opozitarë, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi lidhur me kërkesën e NP KOSTT për të siguruar 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Njëri ndër rekomandimet ishte që Qeveria e Kosovës obligohej të gjente zgjidhje brenda afatit 6-mujor për të shtrirë sistemin e faturimit në komunat veriore.

Opozita dhe shoqëria civile kanë kritikuar për këto mjete shtesë dhe mos përmbushjen e premtimit nga ana e Qeverisë për adresimin e kësaj çështjeje me plan konkret.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se është për keqardhje të rritet kostoja prej 11 milionë në 17.7 milionë euro, nga një parti në pushtet si Vetëvendosje.

“Për herë parë po informohemi që KOSTT ka ndarë 17.7 milionë euro sa i përket humbjeve në veri, dhe jo 11 milionë. Ne dimë se këto janë rekomandimet Komisionit për Ekonomi, gjithashtu këto rekomandime janë duke u shqyrtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Bajrami.

Mitrovica e veriut.

Ajo ka thënë se kritikuese për ndarjen e pagesës së shpenzimeve të rrymës në veri, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shumë e zëshme gjatë kohës kur ishte në opozitë.

“Është mirë të potencohet se ka qenë pikërisht Lëvizja Vetëvendosje në kohën sa ka qenë e në opozitë ka qenë shumë e zëshme ndaj pagesës së shpenzimeve të rrymës në katër komunat veriore. Më vjen jashtëzakonisht keq në qoftë se kostoja prej 11 milionë eurosh tani veç ka shkuar në 17.7 milionë”.

Bajrami ka theksuar se “këto mjete të KOSTT-it janë mjete të buxhetit të Kosovës. Më vjen keq që deri më sot nuk e kemi parë asnjë hap konkret për adresimin e kësaj çështjeje, e cila është jashtëzakonisht e dëmshme dhe e kushtueshme”.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se pagesa e rrymës në veri është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Koha po e vërteton që kam pasur të drejt, sepse tash e 6 muaj përkundër rekomandimeve të parlamentit në raport me KOSTT-in, nuk kemi asnjë lëvizje faktike as juridike mbi shtrirjen e autoritetit në atë pjesë”.

Sipas Shalës, gjatë kësaj periudhe ka pasur një përkeqësim të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

“Në këtë rast, në pozicion të pafavorshëm është KOSTT-i, ZRRE, dhe instancat e tjera, sepse po kalon afati ku instancat e qeverisë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim as politik për të stabilizuar dhe për të filluar implementimin e ligjit në shtrirjen e autoritetit në pjesën e energjisë”, ka thënë Shala.

Po ashtu, hulumtuesi i lartë në INDEP, Dardan Abazi ka konsideruar se Qeveria do të duhej të vinte me një plan të detajtuar në periudhën të cilën e ka premtuar.

“Konsiderojmë se koha prej 6 muajsh për të zgjidhur problemin ishte e kohë e shkurtër, prapë se prapë qeveria do të duhej të sillte një plan të detajuar në Kuvendin e Kosovës se si do t’i qaset çështjes së veriut, se cila është zgjidhja afatgjate të cilën qeveria e sheh në mënyrë që ne mos të vazhdojmë të paguajmë para për atë pjesë të Kosovës”, deklaroi Abazi.

Sipas tij, zgjidhja e problemit për gjashtë muaj është e vështirë dhe gati e pamundur.

“Si u paguan nga KOSTT-i, si u paguan nga qeveria, si u paguan nga faturat tona, prapë jemi ne si konsumator që po paguajmë për atë pjesë të veriut. Dhe në këtë kuptim konsideroj që, arsyetimi që është dhënë atëherë, ka qenë vetëm një justifikim për të vazhduar këtë pagesë nga ana e qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës”, ka thënë Abazi.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në maj kur ishin votuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, në seancën e Kuvendit, kishte thënë se fund të gjashtë muajve do të mundohen të kishin një zgjidhje afatgjate, në lidhje me çështjen e pagesës së rrymës në veri.

“Besojmë që në fund të këtyre gjashtë muajve ne do të kemi një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme të cilën për fat të keq nuk kemi pasur mundësi ta kemi që 20 vitet e kaluara”, kishte deklaruar Rizvanolli.

Më 14 maj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike për komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Qytetarët e komunave në veriun e Kosovës Mitrovia e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani që nga viti 1999 nuk paguajnë rrymën dhe ujin.

Vlerësohet se borxhi për rrymën e shpenzuar në këto komuna është 8 milionë euro në vit.

Nga viti 1999 deri në vitin 2017, këtë borxh e kanë paguar qytetarët e Kosovës, nga komunat tjera, duke pasur faturat e tyre më të shtrenjta për 3.5 për qind. Pas ankesave, Gjykata e Apelit ka vendosur të pezullojë këtë praktikë, sepse ka qenë e paligjshme.

Zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore