Shqipëria

Mbi 310 mijë italianë erdhën në Shqipëri në 6 muaj


Rekordi i turistëve italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e parapëlqyer për pushime nuk ka të ndalur.

Shifrat e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në periudhën Janar-Qershor të këtij viti tregojnë një rritje të tyre me 57% më shumë.

Kjo, në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Për 6 muaj, vizituan Shqipërinë 310 mijë e 336 italianë, kundrejt 198 mijë e 31 që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Sakaq, rekordi i turistëve italianë pritet të thellohet më shumë pas publikimit të të dhënave të muajve Korrik dhe Gusht.

E gjitha për shkak të bumit turistik që është raportuar edhe në mediat italiane, por dhe ato ndërkombëtare.

Vizitorët që vijojnë të zënë vendin e pare vijojnë t’i përkasin turizmit patriotik nga shqiptarët e Kosovës, me 40% të totalit.

Në periudhën Janar-Qershor të këtij viti mbi 1.38 milionë shqiptarë të Kosovës vizituan vendin.

Ndryshe, 43% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Po ashtu edhe polakët, të cilët prej vitesh vijnë në formë të organizuar në Shqipëri.

Për periudhën Janar-Qershor 2023 ishin 59 mijë vizitorë apo 73% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ndërkohë, shifrat pritet të pësojnë sërish ndryshime për muajt Korrik dhe Gusht të këtij viti.

Gjatë gjashtëmujorit të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë mbi 3 milionë e 396 mijë vizitorë të huaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 që rritja është 33% më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore