Shqipëria

Mbi 237 mijë raste të reja dhe 900 vdekje në 1 javë – Ballkani në emergjencë COVID


Shifrat e rasteve të reja dhe vdekjeve nga COVID-19, nuk kanë qenë kurrë kaq të larta sa sot në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm në shtatë ditët e fundit, janë regjistruar mbi 237 mijë raste të reja dhe 900 vdekje.

Në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm gjatë javës së shkuar, janë regjistruar 237 mijë e 982 raste në tërësi.

Shteti me rekordin negativ absolut, është Serbia, ku janë shfaqur 149 mijë e 353 raste të reja – një shifër kjo marramendëse, duke pasur parasysh se popullsia serbe është në 6.9 milionë banorë.

Një rekord tejet negativ, e ka arritur edhe Kosova në shtatë ditët e fundit, me 28 mijë e 695 raste të reja. një periudhë e mirë me shumë pak raste e karakterizoi Kosovën gjatë gjysmës së dytë të muajit dhjetor dhe fillimit të janarit. Por, shifrat e larta janë kthyer dhe po përkthehen në një dhimbje koke të vërtetë për Prishtinën.

Masat janë shtrënguar sërish atje, në përpjekje për ta frenuar rritjen e rasteve.

Bosnjë dhe Hercegovina i ka pasur 19 mijë e 960 raste të reja. Maqedonia e Veriut, shkoi në 15 mijë e 397 të tillë ndërsa Shqipëria, në 14 mijë e 997.

Me më pak raste, por sërish në shifra të larta, ishte Mali i Zi, me 9 mijë e 581.

Në numrin e rasteve të reja për banor, Shqipëria është ajo me më së pakti, duke u ndalur në 494 për milion mesatarisht.

Serbia kryeson me mbi 2 mijë e 800 raste për milion banorë. Kosova e ndjek me mbi 2 mijë e 400 e më pas Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Co-vdekje

Një bilanc tejet i keq shfaqet edhe për sa i përket vdekjeve nga COVID-19 në Ballkan gjatë javës së fundit.

Në tërësi, kanë qenë 912 vdekje në shtatë ditë.

Bosnjë dhe Hercegovina ka pasur bilancin më negativ, me 326 të tilla. Serbia e ka ndjekur me 302 ndërsa Maqedonia e Veriut me 185.

Në statistika dyshifrore janë ndalur tre vendet e tjera, me Malin e Zi, ku ka pasur 47 vdekje gjatë javës së fundit prej COVID-19.

Shqipëria dhe Kosova, me bilance më optimiste, kanë pasur respektivisht 37 dhe 15 vdekje nga coronvirusi.

Një shifër tjetër alarmante, është po ashtu edhe ajo e pozitivitetit të testeve të kryera.

Në disa prej vendeve, ato arrijnë deri në 60% pozitivitet, që tregon një fluks të lartë e të përqendruar të virusit.

Sakaq, në vështirësi të madhe gjendet edhe Evropa, incidenca e të cilës e tejkalon edhe atë të Serbisë, duke shkuar në mbi 2 mijë e 800 raste të reja e thuajse mesatarisht dyfishin e vdekjeve nga COVID-19.

Pavarësisht se një pjesë e mirë e popullsive ballkanike janë vaksinuar, duke se problematika vijon, me variantet si Delta apo Omicron, të cilët kanë qarkullueshmëri të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore