Lajme

Mbërrin ndihma në Libi, më shumë se 11 mijë viktima në Derna


Një javë pasi një valë përmbytjesh përfshiu qytetin bregdetar libian Derna, duke vrarë mijëra njerëz, fokusi të dielën u kthye në kujdesin për të mbijetuarit e fatkeqësisë.

Vlerësimet e numrit të jetëve të humbura ndryshojnë shumë.

Numri i fundit zyrtar i vdekjeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë me qendër në lindje, tregon se 3 mijë e 166 njerëz kanë vdekur.

Por sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar të dielën, numri i viktimave vetëm në Derna u rrit në 11 mijë e 300, raporton agjencia AFP.

Duke cituar Gjysmëhënën e Kuqe Libiane, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) shtoi se 10 mijë e 100 njerëz ishin ende të zhdukur në qytetin e shkatërruar.

“Këto shifra pritet të rriten në ditët dhe javët në vijim pasi ekipet e kërkim-shpëtimit punojnë pa u lodhur për të gjetur të mbijetuarit”, thuhet në raportin e OCHA-s.

Dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur në verilindje

Ndihma po arrin në vendin e Afrikës së Veriut ndërsa bota mobilizohet për të ndihmuar shërbimet e urgjencës të merren me pasojat e përmbytjeve vdekjeprurëse.

Të paktën 40 mijë njerëz janë zhvendosur në të gjithë Libinë verilindore, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila ka paralajmëruar se numri real ka të ngjarë të jetë më i lartë, duke pasur parasysh vështirësinë për të hyrë në zonat më të goditura.

Dy diga në rrjedhën e sipërme të Derna-s u prishën shtatë ditë më parë nën presionin e shirave të stuhishëm të shkaktuar nga stuhia Daniel.

Digat u ndërtuan për të mbrojtur qytetin port me rreth 100 mijë banorë, pasi u godit nga përmbytjet e mëdha në mesin e shekullit të 20-të.

Ka shumë ndërtime në brigjet e shtratit të lumit të tharë që përshkon qendrën e qytetit dhe shiu i rrëmbyeshëm i javës së kaluar rrëmbeu gjithçka përpara tij teksa u vërsul drejt detit Mesdhe.

Shtatë ditë më vonë, trupat janë ende duke u gjetur.

Një ekip shpëtimi nga Departamenti Maltez i Mbrojtjes Civile zbuloi një plazh të mbushur me trupa të premten, raportoi Times of Malta.

Është paralajmëruar një hetim për plasjen e digave

Ndihma ndërkombëtare po vjen nga OKB-ja, Evropa dhe Lindja e Mesme, duke ofruar lehtësim për mijëra të mbijetuar.

Ndihma përfshin ilaçe thelbësore dhe pajisje kirurgjikale emergjente, si dhe çanta trupore për të mundësuar lëvizjen e kufomave.

U futën tenda, batanije, qilima, komplete higjienike dhe ushqime, së bashku me makineri të rënda për të ndihmuar me pastrimin.

Përmbytjet shkatërruese të sjella nga stuhia Daniel janë përkeqësuar nga infrastruktura e dobët në Libi, e cila është kapluar nga trazirat që kur një kryengritje e mbështetur nga NATO rrëzoi dhe vrau Moammar Gadafin në 2011.

Shtohen pyetjet se përse nuk u parandalua fatkeqësia kur plasaritjet në diga dihen që nga viti 1998.

Kryeprokurori Al-Sedik Al-Sur njoftoi një hetim mbi rrethanat që çuan në kolaps.

Rreziqet e minave dhe sëmundjeve infektive

Ashtu si pjesa më e madhe e infrastrukturës së shkatërruar të Libisë, dy digat që u ndërtuan për të mbajtur ujin kanë rënë në gjendje të keqe gjatë viteve të konfliktit dhe ndarjes së Libisë.

Vendi aktualisht drejtohet nga dy qeveri rivale, të cilat kanë luftuar për pushtet që nga rrëzimi i Gadafit.

Me dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur, organizatat humanitare kanë paralajmëruar për rreziqet që paraqesin minat e mbetura dhe municionet e tjera të pashpërthyera, disa prej të cilave OKB-ja thotë se janë bartur nga përmbytjet në zonat e shpallura më parë të pastra.

Rreziku i sëmundjeve të transmetuara nga uji si kolera janë gjithashtu të larta, sipas grupeve të ndihmës.

Jashtë Derna-s, përmbytja mori 170 jetë të tjera, sipas raportit të OKB-së.

Qendra Kombëtare për Kontrollin e Sëmundjeve raportoi se të paktën 55 fëmijë u helmuan nga pirja e ujit të kontaminuar në Derna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore