Shqipëria

Mavraj kritikon Kurtin e lëvdon Ramën: Kosova poshtë e më poshtë – Shqipëria veç me lajme të mira


Edi Rama dhe Albin Kurti

“Përsëri Shqipnia, ia njefsha gjithmonë të mirën!”, e ka filluar shkrimin e tij në Facebook, Muhamet Mavraj, ish-lider i studentëve në protestat e 97-së, njëherit gazetar, pasi ka komentuar organizmin e dy samiteve në dy ditë radhazi nga Shqipëria, derisa ka kritikuar Kosovën, përkatësisht kryeministrin Albin Kurti, për mosprezencën e tij në Tiranë.

Të mërkurën, në Tiranë, u organizua samiti “Ukrainë-Evropa Juglindore”, ku pjesë e tij ishte edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ku të gjitha vendet e rajonit miratuan një deklaratë në mbështetje të plotë Ukrainës, pas agresionit të Federatës Ruse.

Ndërsa, këtë të enjte, po në Tiranë, është duke u mbajtur samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, e në të cilin kryeministri Kurti, do të marrë pjesë vetëm virtualisht, pasi që gjendet në Britani të Madhe, tash e disa ditë.

“Dje mbajti samitin për Ukrainën dhe Evropën Juglindore, ndërsa sot samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Përsëri Kosova e dashtun jashtë e larg detyrave të vetë, poshtë e më poshtë”, shkroi Mavraj.

Sot, theksoi gazetari, aty janë dy kryeministra shqiptarë (ai i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi), i treti (Albin Kurti), thotë Mavraj, “ka punë më të mençura. Larg e më larg”.

“Në ditët e ardhshme Shqipëria do të jetë në qendër me lajme tjera të mira, edhe për sigurinë kombëtare. Të paktën kjo!”, shtoi.

“Gjithmonë krenar me ty, Shqipni!”, përfundoi ish-lideri i studentëve.

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij vetëm virtualisht në Samitin e përbashkët të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kreu i ekzekutivit zgjodhi të mbajë ligjërata boshe në Irlandë të Veriut, në vend se ta shfrytëzojë mundësinë ku Kosova mund të përfitojë qindra-miliona euro investime.

“Pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla”, ka shkruar ai.

Krasniqi, shtoi se kur raportet kryeministri s’arrin t’i thellojë as me Shqipërinë, mundësitë që të thellohen me vendet e rajonit dhe Evropën janë edhe më të pakta.

“Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane”.

“Kryeministër, kthjellu!”, ka shkruar ai.

Sipas tij vendi i kryeministrit ka qenë në këtë samit.

“Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian”.

Sipas tij, veprimet e Kurtit s’do të largojnë as ndëshkimet që ka Kosova nga BE-ja.

“Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen”.

Krasniqi, Kurtit: Idhnak, refuzove qindra-miliona investime për të marrë pjesë në ligjërata boshe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore