Lajme

Krasniqi, Kurtit: Idhnak, refuzove qindra-miliona investime për të marrë pjesë në ligjërata boshe


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për pjesëmarrjen e tij vetëm virtualisht në Samitin e përbashkët të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kreu i ekzekutivit zgjodhi të mbajë ligjërata boshe në Irlandë të Veriut, në vend se ta shfrytëzojë mundësinë ku Kosova mund të përfitojë qindra-miliona euro investime.

“Pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla”, ka shkruar ai.

Krasniqi, shtoi se kur raportet kryeministri s’arrin t’i thellojë as me Shqipërinë, mundësitë që të thellohen me vendet e rajonit dhe Evropën janë edhe më të pakta.

“Një Kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thelloj as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane”.

“Kryeministër, kthjellu!”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se vendi i kryeministrit ka qenë në këtë samit.

“Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian”.

Sipas tij, veprimet e Kurtit s’do të largojnë as ndëshkimet që ka Kosova nga BE-ja.

“Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë do të marrë pjesë në Samitin Ballkani Perëndimor-Bashkimi Evropian, që do të mbahet këtë të enjte në Tiranë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, derisa ka njoftuar se shefi i tij, në këtë samit, do të marrë pjesë virtualisht.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë, kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë Kryeziu për mediat në Prishtinë.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, të enjten, do të mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, në të cilin do të diskutohet plani i rritjes, ku vendet pjesëmarrëse do të përfaqësohen në nivel presidentësh apo kryeministrash.

Në listën e pjesëmarrësve, që u publikua mbrëmjen e së mërkurës, mungonte emri i kryeministrit Kurti, aty figuronte se nga Kosova, përfaqësues do të ishte Lulzim Rafuna, kryetar i Dhomës së Tregtisë.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Samiti Ballkani Perëndimor-BE zhvillon punimet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore, që po ashtu u mbajt në Tiranë, ku edhe u miratua një deklaratë e përbashkët në mbështetje të plotë për Kievin zyrtar.

Kosova në samitin e së mërkurës, në të cilin mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore