Lajme

MASHTI: S’ka pushim të hënën, në shkollat ku votohet – zhvillohet mësimi online


Ndërtesa e Ministrisë së Arsimit në Prishtinë

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim që një ditë pas zgjedhjeve, më 15 nëntor, procesi mësimor të zhvillohet në mënyrë online.

Sipas njoftimit, në shkollat të cilat më 15 nëntor do të jenë qendra të votimit, mësimin do ta zhvillojnë sipas skenarit C (mësimi online), kurse shkollat që nuk janë qendra të votimit, procesin mësimor e vijojnë sipas planifikimeve paraprake.

“MASHTI i ka njoftuar komunat që shkollat të cilat më datën 14 nëntor do të jenë qendra të votimit, mësimin më datën 15 nëntor ta zhvillojnë sipas skenarit C, ndërsa shkollat të cilat nuk janë qendra të votimit, procesin mësimor e vijojnë sipas planifikimeve paraprake”, thuhet në njoftim.

Vendimi i MASHT-it

Siç thuhet në njoftim, komunat e kanë për obligim që pas përfundimit të votimeve, t’i dezinfektojnë shkollat dhe t’i ajrosin mirë në mënyrë që të jenë të gatshme për mbajtjen e procesit mësimor më 16 nëntor.

Ndërkaq, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë pritet të mbahet të dielën e 14 nëntorit.

Ilustrim

Nga raundi i parë i zgjedhjeve të mbajtura më 17 tetor, nga 38 komuna gjithsejtë, 21 prej tyre kanë shkuar në balotazh ndërsa 17 kanë arritur të shkojnë pa balotazh.

Marrëveshjet në mes partive politike për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, veçse kanë filluar.

Kandidatët për kryetarë komunash tashmë kanë filluar shpalosjen e programit të tyre që do të zgjatë për pesë ditë me radhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore