Lajme

Masat për reciprocitet për shoqëritë evropiane janë fëmijërore dhe qesharake


Erhard Buhler, foto nga FAZ

Mund të argumentohet se reciprociteti është politikë e duhur, por në shumë vende të Evropës, masa të tilla, si ajo për traga dhe për letrën e bardhë për hyrje/dalje, të marra nga Kosova në raport me Serbinë, tingëllojnë qesharake, ka thënë Erhard Buhler ish komandanti i KFOR-it (i pari), në një intervistë për Albanian Post.

“Ju mund të argumentoni se është koha për t’u përgjigjur me masa reciproke. Por ju duhet të jeni të vetëdijshëm për ndikimin në opinionet evropiane dhe aftësinë e qeverisë serbe për ta përdorur atë në komunikimin e tyre strategjik. Në shumë pjesë të shoqërive në Evropë, masa të tilla perceptohen si fëmijërore dhe qesharake”, ka deklaruar Buhler.

Sipas ushtarakut gjerman, më e udhës do të ishte që Kosova të merret me lobim dhe prezantim të masave të padrejta ndaj shtetit kosovar, sesa të jepet një përgjigje me masa të njëjta.

“Në vend që të rrezikojë dëmtimin e imazhit të Kosovës në Evropë dhe përshkallëzimin e mëtejshëm, i cili ka potencial të jetë kundërproduktiv ndaj qëllimit kryesor të Kosovës për integrim të mëtejshëm në BE, unë do të rekomandoja të mos bëni asgjë, por të komunikoni atë që qeveria serbe u ka imponuar qytetarëve kosovarë në 11 vitet e fundit”, deklaron Buhler.

“Kosova”, thotë ai, “është dhe mbetet vend multietnik dhe është e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, ky duhet të jetë mesazhi”.

“Në anën tjetër, gjithmonë kam shprehur mendimin tim për të zbatuar sundimin e ligjit në veri të Kosovës dhe inkurajoj faktorët ndërkombëtarë dhe qeverinë që të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

Ndryshe thotë Buhler, “masat reciproke politike apo të hakmarrjes vështirë se do të kuptohen dhe kanë një potencial për përshkallëzim të mëtejshëm”.

“Faktorët ndërkombëtarë duhet të mbështesin zbatimin e sundimit të ligjit pa hezitim dhe të thërrasin politikanët serbë për pajtim dhe justifikim për vuajtjet e pamatura të shumë njerëzve të Ballkanit gjatë dhe para luftës”.

Intervistë me Erhard Buhler, komandantin e parë të KFOR-it: Në Veri ekziston një grup kriminal multietnik, i mbaj mend akoma emrat e tyre – shoh mundësi për përshkallëzim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore