Lajme

Marty: Jam i zhgënjyer me autoritete zvicerane – zbulohen prapaskenat e komplotit serb për të vrarë ish-raportuesin e KiE-së


Ilustrim

Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty – i cili publikoi raportin e tij për trafikim organesh, me të cilin akuzoi pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe që si reaksion zinxhir çoi në themelimin e Gjykatës Speciale, e më pas edhe në arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, dhe të tjerëve – thotë se është i zhgënjyer me autoritete zvicerane.

Marty, i cili ka qenë nën mbrojtje speciale për dy vjet për shkak të kërcënimeve me vdekje, në një intervistë për shërbimin publik zviceran, ka thënë se ndihet i privilegjuar duke konsideruar atë që po ndodh në botë.

“Sa i përket policisë, ka marrë masa për të më mbrojtur, por jam i zhgënjyer dhe nuk i kuptoj metodat e hetimit të autoriteteve zvicerane për rastin tim. Metodat e përdorura në hetim nuk janë të zakonshme”, ka theksuar Marty.

Sipas Marty’it qëllimi i atyre që e kërcënuan me vdekje ishte fajësimi i shqiptarëve nga Kosova.

“Kur autoritetet zvicerane tashmë e kishin atë informacion, pse nuk u thanë serbëve se e dinin se çfarë po ndodhte me kërcënimin se në të kundërt do të shpërthente një skandal. Pastaj qëllimi vrasësve për të vënë përgjegjësinë mbi shqiptarët nga Kosova, nuk do të kishte më kuptim”, beson Marty.

Ai theksoi se nuk ka kuptim vetëm të mbrohet objektivi, por është gjithashtu e nevojshme të merren masa, prandaj ai nuk e kupton se vetëm pas tetë apo dhjetë muajsh që kur ka marrë kërcënime, është nisur një hetim dhe vetëm pas 16 muajsh delegacioni i “FedPol” u dërgua në Beograd.

Në anën tjetër “Temps Presenta” emision televiziv zviceran ka shpalosur komplotin për eliminim e ish-senatorit zviceran përmes ripordhimit të bisedës së një agjenti sekret i cili ia kishte dhënë informacionin autoriteteve zvicerane.

Sipas televizionit publik zviceran “RTS.ch”, agjenti sekret ishte me origjinë çeçene, i lindur në Kosovë, Sony (jo emri i tij i vërtetë) dhe punoi me policinë serbe gjatë viteve të 90’ta.

Për vite me radhë ai ka punuar si agjent i fshehtë për një forcë policore evropiane.

Ai ka punuar disa herë edhe për policinë zvicerane dhe FedPol, i cili  e konsideron atë burim të besueshëm.

“Unë mendoj se ai person më shpëtoi jetën,” ka thënë Dick Marty.

Në dhjetor 2020, agjenti i fshehtë i “Temps Presenta”, telefonon Sony-n i cili takon K*-në, një anëtar i botës së krimit serb.

Falë dokumenteve dhe dëshmive të pabotuara, “Temps Presenta” ishte në gjendje të rindërtonte bisedën e tyre.

K : “Mirë që është arrestuar Hashim Thaçi. Por nuk jam i sigurt se do të dënohet (…) po e mbrojnë amerikanët. Kosovarët kanë probleme për shkak të Dick Marty-it. Nëse ai vritet, të gjithë do të besoni se goditja erdhi nga Thaçi dhe gjykata nuk do të mund ta lirojë më atë”.

Sony: “Nuk është e lehtë të vrasësh një politikan në Zvicër”

K : “Jo, është lojë fëmijësh, armët i kam sjellë tashmë në Zvicër. Atentati do të bëhet së shpejti”.

I vetëdijshëm për rrezikun, Sony paralajmëron FedPol’in me kërkesë të policisë evropiane ku ishte i punësuar. Më pas ai jep një emër, targa dhe numra telefoni.

Temps Presenta ishte në gjendje të identifikonte të dyshuarit përgjegjës për eliminimin e Dick Marty.

Ata janë nga qyteti i Nishit, në jug të Serbisë. Është veçanërisht K*, një veteran i ushtrisë serbe, i cili do t’i kishte sjellë armët në Zvicër.

A*, një drejtues grupi që do të ishte pranë shërbimeve të inteligjencës dhe D*, gjithashtu veteran i ushtrisë serbe, i specializuar në atentat pa lënë gjurmë.

Sony, agjenti i fshehtë që zbuloi ekzistencën e komplotit kundër Dick Marty, e pagoi shtrenjtë këtë.

Në pranverën e vitit 2021, ai u detyrua të largohej urgjentisht nga Serbia për shkak të një gabimi të rëndë të bërë nga FedPoli.

FedPol-i i pasijur me emrat dhe informacionet që posedonte, policia federale bëri një kërkesë për informacion në degën e Interpolit në Beograd. Personat të cilët ishin mandatuar për të vrarë Dick Marty’n e kuptuan menjëherë se Sony i kishte tradhtuar.

“Ata e dinin menjëherë se ishte nga unë. Më thanë se do të më bënin copa. Pse e bëri këtë FedPol? Më vunë në skarë! Zviceranët më kanë shkatërruar jetën“, thotë Sony për Temps Present.

“Kam humbur gjithçka. Nuk mundem të punoj si dikur. Nuk mund të kthehem në Serbi. Më duhet të fshihem, nuk është e lehtë me një grua dhe dy fëmijë”, shton ai.

Kush ia zbuloi identitetin informatorit në rastin Dick Marty? – Fedpol mohon akuzat ekskluzivisht për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore