Lajme

Marrëveshja për lëshimin e burgut me qira, KMLDNJ: E dëmshme dhe shkatërruese për Shërbimin Korrektues te Kosovës


KMLDNJ

KMDLNJ, marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për lëshimin e burgjeve me qera e ka cilësuar si një marrëveshje të dëmshme, diskriminues dhe shkatërruese për shërbimin korrektues të Kosovës.

Për KMDLNJ-në bisedimet për këtë marrëveshje  kanë qenë krejtësisht jotransparente dhe vetëm kur Ministria e Drejtësisë e Danimarkës ka bërë publike këto bisedime, edhe Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka dalë me një informatë të shkruar që thuaja asgjë nuk sqaron përveç arsyetimit të kësaj marrëveshjeje.

“Bisedimet dhe përmbajtja e tyre ende mbesin krejtësisht të errësuara , sidomos nga pala daneze, të burgosurit që do transferohen nga Danimarka nuk janë shtetas danezë por të vendeve tjera e që janë dënuar në Mbretërinë e Danimarkës dhe të cilët , pak para se ta përfundojnë dënimin në Kosovë do të kthehen në Danimarkë për t’u dëbuar në shtetet dhe vendet e origjinës”, thuhet në njoftimin e KMLDNJ-së.

Me 200 milionë euro të cilët janë ofruar Kosovës në këmbim të pranimit të 300 burgosurve nga Danimarka, sipas KMLDNJ-së danezët mund të ndërtojnë së paku 7 burgje moderne apo, si zgjidhje e përkohshme kanë mundësi ta adaptojnë ndonjë objekt tjetër që do të shërbente si burg.

“Mbretëria e Danimarkës e ka gjetur mënyrën më të mirë , më të lehtë dhe më të lirë të lirohet nga të burgosurit me të cilët kanë probleme të vazhdueshme duke i transferuar në Kosovë, duke e blerë një pjesë të sovranitetit të shtetit të Kosovës , fillimisht për afatin 10 vjeçar dhe duke i shkaktuar, pa asnjë dyshim shumë probleme në të ardhmen Shërbimit Korrektues të Kosovës”

Sipas KMLDNJ-së SHKK duke u bërë pjesë e kësaj loje të ndyrë politike do të detyrohet të pranojë dhe zbatojë standarde të dyfishta.

“Në këtë mënyrë do të diskriminohen të burgosurit kosovarë të cilët do të kenë pakrahasimisht kushte më të këqija se të dënuarit për krime të ndryshme që do të importohen nga Danimarka përmes një Marrëveshjeje jotransparente dhe të dyshimtë , diskriminuese , raciste dhe e cila legalizon zbatimin e standardeve të dyfishta”.

Kjo Marrëveshje sipas KMLDNJ-së është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut , me Ligjin për Ekzekutim të Sanksioneve Penale dhe me Rregullat Evropiane të Burgjeve që më së mirë rregullojnë statusin dhe trajtimin e personave të privuar nga liria , duke marrë parasysh specifikat e vendeve përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore