Lajme

Marrëveshja me Rusinë për eksportin e grurit të Ukrainës është arritur, thotë Turqia


Turqia thotë se është arritur një marrëveshje me Rusinë për të lejuar Ukrainën të rifillojë eksportet e grurit përmes Detit të Zi.

Ajo do të nënshkruhet të premten në Stamboll nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Mungesa botërore e grurit ukrainas që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, ka lënë miliona njerëz në rrezik të urisë.

Pushtimi bëri që çmimet e ushqimeve të rriteshin, kështu që marrëveshja për zhbllokimin e porteve të Ukrainës është vendimtare. Rreth 20 milionë tonë drithë kanë ngecur në kapanone në Odesa.

Ministria e Jashtme e Ukrainës konfirmoi se një raund tjetër bisedimesh i udhëhequr nga OKB për të zhbllokuar eksportet e grurit do të zhvillohet në Turqi të premten dhe një dokument “mund të nënshkruhet”.

Megjithatë, një deputet ukrainas i afërt me bisedimet shprehu kujdes në lidhje me marrëveshjen.

“Ne nuk kemi ende një marrëveshje”, tha deputeti Oleksiy Honcharenko për programin World Tonight të “BBC Radio 4”.

“Nuk u besojmë aspak rusëve. Pra, le të presim deri nesër për një vendim përfundimtar, nse nuk do të ketë disa shtyrje nga rusët dhe ndryshime të minutës së fundit”.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve përshëndeti marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja, por tha se po fokusohej në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për zbatimin e saj.

“Kurrë nuk duhet të ishim në këtë pozicion në radhë të parë. Ky ishte një vendim i qëllimshëm nga ana e Federatës Ruse për të armatosur ushqimin”, tha zëdhënësi i departamentit Ned Price.

Marrëveshja synon gjithashtu të lehtësojë eksportet ruse të grurit dhe plehrave përmes Detit të Zi.

Rusia mohon bllokimin e porteve të Ukrainës. Ajo fajëson Ukrainën për vendosjen e minave në det dhe sanksionet perëndimore për ngadalësimin e eksporteve të Rusisë.

Ukraina megjithatë thotë se marina ruse e pengon dërgimin e grurit dhe eksporteve të tjera dhe akuzon forcat pushtuese ruse për vjedhjen e grurit nga fermat ukrainase.

Nëse nënshkrimi shkon siç është planifikuar, do të jetë marrëveshja e parë e rëndësishme midis Rusisë dhe Ukrainës që nga fillimi i pushtimit. Ka pasur disa shkëmbime të burgosurish, por një armëpushim duket ende shumë larg.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore