Lajme

Marko Millkoviç, mafiozi tjetër që thotë të ketë pasur lidhje me Vuçiçin e Vulinin


Marko Milljkoviç

Mediumi serb “NewsMax Adria” ditën e hënë ka bërë të ditur se ka siguruar qasje në deklaratat e dhëna në polici të Marko Milljkoviç, kolegut kriminal të Veljko Bellivuk, ku edhe ai thuhet të ketë deklaruar në polici se ka takuar Aleksandër Vuçiçin, dhe Aleksandër Vulinin, përmes gjyshit të tij Svetozar Vujaçiç, që është këshilltar i ministrit të brendshëm të Serbisë.

Marko Milljkoviç, anëtar i klanik kriminal të Velljko Belivuk, është në paraburgim nën akuza për vrasje dhe trafik droge.

“NewsMax Adria” raporton se Milljkoviç ka thënë se me ministrin serb Vulin është takuar në një klub nate të quajtur Gotik në rrugën Karagjorgjeva, dhe me Vuçiçin në një apartment në Zvezdarë, të njëjtin aparment që përmendet edhe nga Belivuk për të cilën kishin raportuar gazeta investigative KRIK.

“Vuçiçi më ka thënë që mund të takohem lirshëm me Vulinin pasi ai është dora e djathtë e tij. Unë e dërgova Vulinin në dy shtëpi, në anën e majtë të Danubit. Por Vulinit për disa arsye si pëlqenin ato vende”.

Në dëshminë e tij, sipas “NewsMax Adria”, Milljkoviç dhe Vulin u takuan në verën e 2020-ës, ku ky i fundit i kërkoi të shantazhonte Aleksandër Stepanoviç, Presidentin e Gjyqit të Lartë, me një video që supozohet të jetë bërë nga starleta Tijana Maksimoviç, e fejuara e Milovan Tadiç.

Vulin paraprakisht kishte kometuar në media deklaratat e Milljkoviçit, dhe kishte thënë se bazuar në fjalët tij, mund të konkludohet që i dyshuari këso ‘diturish’ konfidenciale po i merr gjatë kohës sa është në burg

“Ky klan ka ekzistuar për shumë kohë dhe tash gjenden në burg, dhe për tërë jetën e tyre aty do të mbesin. Ne e dimë cili është qëllimi i tyre, të njollosin MPB-në dhe të gjithë operativët që po mirren me këtë rast”, kishte thënë Vulin

Ai ndër të tjera kishte thënë se e gjitha kjo ishte shantazh, por se kjo “nuk funksionon me ne, dhe veçanërisht te Vuçiçi”.

Kjo nuk është hera parë që mediet në Serbi bëjnë punlike dokumente konfidenciale të hetuesve kundër grupit të Belivukut.

Gazeta investigative KRIK (Rrjeti për Hetimin e Krimit dhe Korrupsionit), më 22 korrik kishte publikuar transkriptat e procesit gjyqësor të krye-mafiozit Velljko Belivuk, ku kishte mohuar akuzat, por edhe kishte thënë se kishte lidhje direkte me krerët e SNS-së në Serbi, me Vuçiçin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit serb, dhe se ata i kishin kërkuar shërbime atij.

Nënkryetarja e Partisë Popullore të Serbisë, Sanda Rashkovic Iviç, të hënën ka thënë në një intervistë për mediumin serb Nova se: “Është e qartë tashmë se kjo qeveri është e përzjerë me mafian, që ka lindur dhe ka rritur organizata mafioze të tilla si kjo e Belivuk-ut”.

Ajo në këtë intervistë foli për gjërat më të diskutuara në Serbi kohët e fundit, si kjo e rastit ende të freskët për akuzat e bëra ndaj lidhjes së qeverisë serbe me mafian.

“Nuk besoj se është as fillimi e as fundi i dëshmive kjo, por vetëm një copëz e mozaikut të lidhjeve mes regjimit të Aleksandër Vuçiçit dhe organizatave mafioze. Një gjë duhet të mbajmë mend, se ky klan është formuar gjatë kësaj qeverie, dhe se pa ndihmën e saj s’do kishte qenë e mundur të bëhen aq të fuqishëm, që të marrim nën zotërim aq shumë”, tha Iviç

Rasti i Belivukut ka hedhur dritë mbi disa çështje të brendshme të shtetit serb – bazuar në hetimet që janë bërë – Belivuk del të ketë lidhje me zyrtarë të lartë në Beograd.

E në krye të kësaj, sigurisht, se është kreu i shtetit serb, Vuçiç, dhe partia e tij.

Menjëherë pas këtyre raportimeve, opozita në Serbi ka bërë thirrje që të hetohen këto lidhje nëntokësore me krimin që ka Qeveria, përfshirë edhe Partin e Popullit, Iniciativa ‘Mos e Fundosni Beogradin’, Partia Social-demokratike që udhëhiqej nga presidenti Tadiç, si dhe partia për Liri dhe Drejtësi e ish-majorit të Beogradit Dragan Djilash.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten e 22 korrikut e mohoi ta ketë parë, takuar, ose biseduar ndonjëherë me kriminelin Veljko Belivuk i cili u kishte thënë hetuesve se ishte i lidhur me Presidentin e Serbisë, dhe zyrtarë të lartë të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Ai, ka thënë se është i gatshëm të flas publikisht para trupave gjykues, ose edhe publikisht t’i nënshtrohet poligrafisë (makinë që matë ndryshimet fiziologjike, pulsin, nivelin e frymëmarrjes, etj, për të detektuar se a po gënjen personi).

“Kur kriminelët shohin se dëshmitë po vijnë, reagojnë në këtë mënyrë, në mënyrë që të fitojnë mbështetje politike. Sikurse edhe kanë marrë mbështetje politike nga disa media të cilat janë në bashkëpronësi të disa politikanëve”,  tha presidenti serb, kur u pyet për akuzat e ngritura në drejtim të tij.

“Tash vetëm pres që Belivuk të shpallet edhe kandidat për president, dhe Marso Mesar të shpallet kandidat për kryeministër”, ka thënë Vuçiç, raporton Danas.

Vuçiç ka justifikuar veten duke thënë se “këtë histori s’kanë mundur ta trillojë grupi kriminal i Veljka Belikuva-s, por kanë marrë udhëzime nga ‘këshilltari mafioz’”, duke ju referuar një personi emrin e të cilët se ka përmendur.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të ofrojë më shumë hollësi rreth lidhjes së këtyre kriminelëve dhe ‘këshilltarëve mafiozë’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore