Lajme

Maqedonci: Rreziku vazhdon të jetë prezent, Qeveria e Serbisë s’ka qasje serioze ndaj sulmeve


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencën e tij të fundit për 2023, ka deklaruar se Qeveria e Serbisë vazhdon të mos ketë qasje serioze për sulmet që kanë ndodhur gjatë këtij viti në Kosovë.

Sipas tij, përderisa vazhdon një sjellje e tillë nga Serbia, rreziku vazhdon të jetë prezent.

“Përderisa akoma nga Qeveria e Serbisë, nuk kemi një qasje serioze për sulmet që kanë ndodhur gjatë vitit, përderisa kemi akoma evidenca të qarta të implikimit të strukturave shtetërore serbe në përgatitjen e këtyre grupeve për agresion kundër Republikës së Kosovës, ne vlerësojmë që ky rrezik mbetet akoma prezent”, ka thënë Maqedonci para gazetarëve.

Ai po ashtu ka përmendur vendosjen e 48 bazave operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

“Kjo paraqet kërcenim të vazhdueshëm. Këtë e kemi thënë disa herë. Tri nga katër brigadat e ushtrisë serbe janë të dislokuara në jug të Serbisë”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ai tutje ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të jetë problem, përderisa pesë vende vazhdojnë të mos e njohin atë.

“Integrimi në NATO, kërkon konsensuse në vetë NATO-në, të gjitha vendet e NATO-s duhet të pajtohen që Kosova të jetë pjesë e NATO-së. Po ashtu, ne akoma kemi probleme me disa vende mosnjohëse të NATO-së”.

“Anëtarësimi në NATO nuk është vetëm në dobi për qytetarët, por është edhe garanci për stabilitetin e Ballkanit Perëndimore”.

Sipas Maqedoncit, FSK-ja gjatë këtij viti është armatosur me pajisje të reja duke bërë që të jetë njëra ndër ushtritë më të furnizuara në Ballkanin Perëndimor.

“Krahas dronëve, në kemi blerë edhe pajisje dhe sisteme të tjera të armatimit jo të gjitha, por mund të them me përgjegjësi të lartë që Forca e Sigurisë së Kosovës, është njëra ndër ushtritë më të furnizuara në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur nëse sanksionet kanë dëmtuar avancimin e FSK-së, ai ka mohuar që të ketë ndodhur një gjë e tillë.

“Sanksionet nuk kanë afektuar zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ne kemi vazhduar bashkëpunimin me të gjitha vendet dhe kemi shumëfishuar partneritetin me vendet ndërkombëtare në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Edhe kryeminisitri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë paralajmëruar sulme të reja si ai i Banjës në Veri të Kosovës që ndodhi më 24 shtator, ku humbi jetën polici tashmë i shpallur hero, Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore