Sport

Manchester United kërkon ta blejë përfundimisht Sabitzer-in nga Bayern Munich


Marcel Sabitzer iu bashkua skuadrës së Manchester United-it në afatin kalimtar të janarit, duke u transferuar në formulën e huazimit nga Bayern Munich.

Deri më tani, austriaku është aktivizuar në tetë ndeshje të Premier League për skuadrën e drejtuar nga trajneri Erik ten Hag ndërsa ka treguar se mund të përshtatet me skemat e trajnerit holandez.

Në total, ai ka luajtur 13 ndeshje me “Djajtë e Kuq” në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar tre gola dhe ka dhuruar një asistim.

 (Photo by Alexander Hassenstein/Getty Images)

Megjithatë, drejtuesit e Manchester United kërkojnë një ulje të çmimit nga Bayern Munich pasi gjermanët për shërbimet e 29-vjeçarit kërkojnë të paktën 30 milionë euro.

Ndërkaq, edhe vetë Sabitzer kërkon të qëndrojë në Premier League edhe sezonin e ardhshëm duke qenë se tek anglezët ka nisur të ndjehet sërish i rëndësishëm pasi tek Bayern po gjente shumë pak hapësira.

Kujtojmë që për shërbimet e austriakut, Bayern-i shpenzoi 15 milionë euro për ta transferuar nga Leipzig-u në verën e vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore