Shqipëria

Manastirliu mbledh drejtuesit e spitaleve rajonale për “autonominë spitalore”


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu mblodhi të premten e 20 janarit drejtuesit e spitaleve rajonale për të diskutuar mbi autonominë spitalore mes të tjerash.

Lajmi u bë i ditur nga zyrtarja shqiptare, duke cituar statusin e saj në median sociale “Twitter”.

“Bashkëbiseduam sot me drejtuesit e spitaleve rajonale për punët në proces dhe prioritetet e vitit 2023, për të çuar përpara investimet e për t’u përgatitur për të hedhur hapin e rëndësishëm drejt autonomisë spitalore, me synim përmirësimin e shërbimin mjekësor për qytetarët”, theksoi Manastirliu.

Kujtojmë që, ajo zbuloi më herët prioritetet kryesore të institucionit për vitin 2023, si autonomia spitalore dhe mbështetja e profesionistëve.

“Ne do të futemi në një fazë operacionale të zbatimit të ligjit të ri për kujdesin spitalor, një ligj i miratuar. Paketa e akteve nënligjore është duke u hartuar dhe duke marrë miratimet për të filluar dhe për të avancuar me modelin e ri të autonomisë spitalore”, deklaronte zyrtarja shqiptare.

Sipas saj, pilotimi i këtij modeli do të jetë në Spitalin Memorial në Fier që tashmë ka nisur me kapacitetet e saj.

“Nisim një fazë të re edhe për spitalet e tjera për t’u përgatitur për autonominë spitalore menaxheriale. QSUT-ja, Spitali i Durrësit dhe i Shkodrës do të kenë një mbështetje të posaçme nga një staf i dedikuar nga menaxherët turq për të përgatitur strategjinë e mbërritjes tek autonomia spitalore menaxheriale e më pas autonomia spitalore financiare”, shtoi Manastirliu.

Për ministren të dyja këto hapa janë të rëndësishme drejt përmirësimit të përformancës, drejt efiçencës, drejt zhvillimeve më të mëdha dhe të shpejta në fushën e shërbimeve spitalore dhe mbi të gjitha për krijimin e incentivave më të mëdha për stafet mjekësore.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi gjatë muajit dhjetor se mezi po pret që të fillojë shtrirja në terren e autonomisë spitalore, sepse është një objektiv i kahershëm i qeverisë.

Sipas tij, tani janë krijuar kushtet, sepse dihet “shumë mirë që është e thjesht ta thuash por është shumë e ndërlikuar ta realizosh”.

“Lajmi i mirë është që tani ne kemi spitale universitare rajonale, qëndra shëndetësore të cilat janë akredituar duke marrë të gjitha pikët e nevojshme për të zotëruar standardet për akreditim”, shtoi Rama.

Kreu i Qeverisë kujtoi se janë 261 entitete dhe është një bazë shumë e mirë për të vazhduar me autonominë spitalore.

Kjo e fundit, nënvizoi Rama, do të bëjë atë që me shumë të drejtë shumëkush prej punonjësve e pret, mundësinë që mos të bëhet një vlerësim uniformë i infermierëve, por të kalohet në një vlerësim sipas performancës nga pikëpamja financiare.

“Nëse për të gjithë ka një dysheme të garantuar, pastaj shpërblimet sipas punës vlerësohen në bazë të kritereve dhe të pikëzimit të performancës. Ata të cilët kryejnë më shumë operacione, më shumë vizita do të paguhen më shumë sesa të tjerët për të njëjtën kategori”, shpjegoi kryeministri.

Si funksionon?

Lidhur me këtë hap të ndërmarrë, mjekja Flutura Beqo, për Albanian Post shpjegoi se ka një sërë komponentësh të rëndësishëm që ndiqen për shërbimin spitalor.

“Kjo nis që nga planifikimi spitalor kombëtar, riklasifikimi i spitaleve, modalitetet ligjore të organizimit dhe funksionimit të sistemit spitalor, financimit deri te konceptet e autonomisë spitalore dhe praktikat e dyfishta të mjekëve”.

Sipas drejtoreshës së politikave të shërbimit spitalor, ligji spitalor kishte nevojë për një rifreskim, prandaj nga ekspertët dhe vizioni i Ministrisë u krijuan bazat dhe u arrit në këtë projektligj të ri që u miratua në Këshillin e Ministrave.

Mjekja thekson se koncepti i autonomisë spitalore “nuk është një koncept që ne e futëm në projektligj dhe do të ndërmerret në të gjithë spitalet pa u plotësuar disa kushte apo standarde”.

“Sigurisht për momentin”, tha ajo, “unë e shoh që do të ketë shumë sfida dhe do të duhet shumë punë nga të gjithë për ta realizuar hap pas hapi, por duhet të vijë një moment që ne t’i japim një shans sistemit për përmirësim. Është një inovacion dhe një frymëmarrje për spitalet”.

Ideja për autonomi, u njoftua që në prezantimin e qeverisё “Rama 3”.

“Do të jetë një reformë kundër korrupsionit me autonomi spitalore, investim në urgjenca kombëtare, siguri barnash, monitorim dhe kontroll”, tha Manastirliu.

Aplikimi pёr autonominë spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinё e Shёndetёsisё, nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri, në të cilin pasqyrohen elementet formale të kërkesës.

Dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit. Më pas miratohet nga ministri.

Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore. Gjithashtu të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore