Lajme

Mali i Zi i jep azil manjatit të kërkuar në Rusi për vrasje


Mali i Zi i ka dhënë azil një miliarderi rus të kërkuar nga Moska, nën arsyetimin e persekutimit. Telman Ismailov i lindur në Azerbajxhan, akuzohet për përfshirje në dy vrasje nga autoritetet ruse.

Ismailov, i cili në të kaluarën ka ndezur zemërimin e presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua në Podgoricë në fillim të këtij muaji.

Moska zyrtare kishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për ekstradimin e tij.

Ai u lirua nga paraburgimi pasi ministria e brendshme i dha azil në fillim të kësaj jave, tha avokati Milos Vuksanoviç për Agence France Presse.

Sipas deklaratës të zbardhur të ministrisë, Ismailov përfitoi mbrojtje ndërkombëtare për shkak të persekutimit në vendin që po e kërkon atë.

Nga raportimet e mediave lokale, Rusia dyshon se Ismailov ka paguar 2 milionë dollarë për vrasjen e dy sipërmarrësve në Moskë në vitin 2016.

Vuksanoviç tha se klienti i tij ishte “viktimë e persekutimit politik dhe ekonomik nga Rusia”.

Ismailov kishte kërkuar azil në Malin e Zi, ku djali i tij Alekper Ismailov zotëron një kazino, përpara arrestimit të tij, tha ndër të tjera avokati.

Manjati ndërtoi një qendër të madhe tregtare në Moskë, që më pas u kritikua për dështimin në respektimin e standardeve të sigurisë dhe për shitjen e mallrave të falsifikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore